Ministri i Brendshëm Balla komentoi operacionin masiv kundër trafikut të emigrantëve të paligjshëm ku u prenë 26 urdhërarreste dhe u sekuestruan armë, municion e drogë.
Ai tha se shkatërrimi i rrjeteve të trafikut të qenieve njerëzore është prioritet i ministrisë që drejton.
“Por ajo që do çmohet më tepër dhe për të cilën po punohet vazhdimisht është të mos lejojmë që këto zinxhirë të krijohen. Ndaj parandalimin, informimin dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë e konsideroj si një element kyç në këtë përpjekje të përbashkët. Një nga rezultatet për t’u duartrokitur është vendosja në funksionim e Linjës 116 006, nga muaji dhjetor pranë Sektorit Antitrafik. Me qëllim promovimin e Linjës dhe ndërgjegjësimin e komunitetit ndaj fenomenit të trafikimit, u prezantua fushata e komunikimit antitrafik “E vërteta N’drit” 116 006, si pjesë e programit “Transformimi i përgjigjes kombëtare ndaj trafikimit të qenieve njerëzore në dhe nga Shqipëria”, i cili financohet nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe zbatohet nga UNICEF në Shqipëri”, nënvizoi ministri.
Balla theksoi se dukuria ka një rol shumëdimensional, duke u ndikuar nga gjendjet e prekshmërisë sociale, ekonomike të personave dhe duke pasur njësoj shtrirje si tek burrat, gratë dhe fëmijët.
“Kur flasim për të miturit një vëmendje të veçantë i shkon të miturve të pashoqëruar, të cilët kalojnë në mënyrë të parregullt kufirin drejt Republikës së Shqipërisë dhe që janë potencialisht viktima të trafikimit. Ndaj gjej rastin të bëj një thirrje ndaj të gjitha shoqatave dhe organizatave të shoqërisë civile të pranishme sot, por edhe ato që na ndjekin dhe që kanë në objekt të veprimtarisë së tyre masat në kuadër të trafikimit të qenieve njerëzore, që të kenë një vëmendje të veçantë dhe të jenë partnerë mbështetës Policisë së Shtetit dhe Njësive të Vetëqeverisjes Vendore ndaj kësaj kategorie.” – shtoi Balla.