Vendosni fjalën kyçe....

“Po jetojmë në shpella e makina, na u shkatërrua jeta” – Banorët e ishullit spanjoll protesta kundër turizmit


Aktivistët dhe ambientalistët në Ishujt Kanarie kanë paralajmëruar se vendasit po detyrohen të jetojnë në makinat e shpella, për shkak të ndikimit të operatorëve kryesorë të turizmit që “po konsumojnë ishullin”.

Deklarata tronditëse është e fundit në një varg deklaratash gjithnjë e më alarmante nga grupet përpara protestave masive kundër turizmit nëpër ishujt e Tenerifes, Fuerteventura, Gran Canaria, Lanzarote dhe La Palma të planifikuara për 20 prill, shkruan Daily Mail.

Ndërkohë, banorët e Ishujve Kanarie po përdorin masa të dëshpëruara për të kufizuar numrin e turistëve që frekuentojnë pikat turistike, duke spërkatur mbishkrime kundër turizmit dhe duke vendosur tabela false që shkruajn “mbyllur për shkak të mbipopullimit” për të shmangur pushuesit.

Ivan Cerdena Molina, një aktivist që punon me Shoqatën e Miqve të Natyrës në Tenerife (ATAN) tha për Olive Press: “Ne nuk kemi asgjë kundër turistëve individualë, por industria po rritet dhe po rritet dhe po përdor kaq shumë burime dhe ishulli nuk mund ta përballojë. Është një krizë, ne duhet t’i ndryshojmë gjërat  a më shpejt të jetë e mundur. Banorët po jetojnë në makina dhe madje edhe në shpella, dhe vendasit nuk mund të hanë, pinë apo të jetojnë mirë. Airbnb dhe Booking.com janë si një kancer që po konsumon pak nga pak ishullin. Përfitimet e industrisë nuk po shkojnë te njerëzit e zakonshëm, pagat e të cilëve nuk janë rritur me vite, cilësia e jetës këtu po shembet.”

Kjo ka krijuar grupe si “Canarias se exhausta” (Ishujt Kanarie janë të rraskapitura).

“Është koha të bojkotojmë, me mjetet që kemi në dispozicion, aktivitetin turistik që po na dëbon nga toka jonë”, kanë shkruar anëtarët në rrjetet sociale.

Aktivistët në Ishujt Kanarie thonë se po bëhet e pamundur për shumë vendas që të kenë qasje në banesa të përballueshme për shkak të rritjes së çmimeve të pronave të nxitura nga turizmi.

Ndërkohë, fluksi dramatik i pushuesve dyshohet se ka sjellë mbingarkesë të shërbimeve shëndetësore, kolapsin e sistemit të menaxhimit të mbetjeve, mungesën e ujit për konsum dhe sektorin e bujqësisë, mbipopullimin e hapësirave të mbrojtura, rritje të krimit dhe humbje të biodiversitetit, ndër ankesa të tjera.

“Modeli i tanishëm ka shkatërruar plotësisht cilësinë e jetës në Ishujt Kanarie dhe ato arsye që i bënë ishujt unikë: kushtet e një jete dinjitoze dhe të vlefshme, biodiversiteti ynë, peizazhet tona, njerëzit tanë dhe identiteti i asaj që ishim.” thonë aktivitstët e “Canarias se exhausta”.

“Është e nevojshme të veprohet menjëherë për të ndryshuar modelin e turizmit masiv në një model të rregulluar të bazuar në bashkëjetesë të qëndrueshme të industrisë së turizmit me mirëqenien e përgjithshme të popullsisë.

Përveç kësaj, ata kërkojnë ‘përmirësimin dhe rritjen e shërbimeve shëndetësore, rritjen e burimeve arsimore, shumëfishimin e transportit publik dhe garantimin e të drejtës për strehim”.

Së fundi, ata kërkojnë “uljen e presionit turistik në hapësirat natyrore të mbrojtura me menaxhim më të mirë dhe mbikëqyrje më të madhe për të shmangur sulmet ekologjike dhe përkeqësimin e mjedisit që po ndodhin tashmë”.

Por zyrtarët qeveritarë kanë paralajmëruar qytetarët kundër “turizmofobisë’, duke argumentuar se ekonomia është shumë e varur nga industria.

Presidentja e Këshillit të Tenerife-s, Rosa Dávila tha javën e kaluar se këshilli është i gatshëm të punojë me aktivistët për të “reformuar atë që ne të gjithë shohim se mund të përmirësohet” brenda industrisë së turizmit, por deklaroi se zyrtarët e saj janë “larg nga ata që mbajnë pozicione radikale”.

“Kur zhvillon një model ekonomik, duhet të jesh vigjilent dhe të vëzhgosh përmirësimin e cilësisë së jetës së shoqërisë së cilës i shërben…kjo nuk nënkupton çmontimin e një modeli të tërë ekonomik që kontribuon ndjeshëm në ekonomi dhe në vendet e punës të krijuara në Ishujt Kanarie, të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me nënsektorin e turizmit,” u citua të thoshte ajo.

Komenteve të saj iu bënë jehonë nga presidenti i Ishujve Kanarie, Fernando Clavijo, i cili u kërkoi protestuesve kundër turizmit të përdorin “logjikë të shëndoshë”.

“Ajo që ne nuk mund të bëjmë është të sulmojmë burimin tonë kryesor të punësimit dhe pasurisë sepse do ishte e papërgjegjshme,” tha ai.

Lajmet për trazirat kanë shqetësuar pushuesit britanikë, me operatorët e hoteleve që zbulojnë se po marrin telefonata duke pyetur nëse ishujt do jenë të sigurt për t’u vizituar.