Vendosni fjalën kyçe....

Vendimi i gjykatës evropiane “detyron” zviceranët të kujdesen më shumë për klimën


Zvicra pavarësisht maleve të mbuluara me borë dhe ajrin e freskët alpin nuk ka arritur të mbrojë popullin e saj nga shkatërrimet e ndryshimeve klimatike, siç vendosi këtë javë një gjykatë e lartë evropiane.

Pas kartolinave të jashtme, kritikët thonë se qëndron një vend që ka bërë shumë pak për planetin dhe ka vepruar si qendër biznesi për disa nga korporatat më të fuqishme ndërkombëtare në lëndët djegëse fosile dhe minierat.

Analistët politikë dhe akademikët thonë gjithashtu se konservatorizmi i rrënjosur dhe një sistem politik i qeverisur nga referendumet popullore do e ndërlikojnë reformën edhe pas vendimit të së martës nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Gjykata vendosi në favor të mbi 2,000 grave zvicerane – një e treta e tyre mbi 75 vjeç – të cilat thanë se mosveprimi i vendit të tyre përballë temperaturave në rritje i vë ato në rrezik vdekjeje gjatë valëve të të nxehtit.

Vendimi nuk mund të apelohet dhe Zyra Federale Zvicerane e Drejtësisë, që përfaqësoi qeverinë përpara gjykatës, tha se ai duhet të zbatohet. Ajo tha se do e analizonte vendimin për të përcaktuar masat që duhej të merrte vendi.

Menjëherë pas vendimit të gjykatës, Partia e Gjelbër Zvicerane bëri thirrje për objektiva klimatike për industri të veçanta, përfshirë sektorin financiar.

“Njerëzit mund të kenë ëndrra paksa të bukura për Zvicrën,” tha Lisa Mazzone, liderja e partisë.

“Zvicra është vendi i tregtimit të mallrave, Zvicra është vendi me një sektor të fuqishëm financiar me shumë investime në lëndët djegëse fosile”, shtoi ajo.

Sipas të dhënave të publikuara nga shoqata e industrisë Suissenégoce, kompanitë tregtare të mallrave me bazë në Zvicër merren me 40% të të gjitha tregtive të naftës dhe 60% të biznesit të tregtimit të metaleve.