Një grua ka mbetur e vrarë nga disa të shtëna me armë zjarri para Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj të Kosovës. Viktima është Erona Cokli, 21-vjeç. Ndërsa vëllai i saj i mitur ka mbetur i plagosur.
I dyshuari i sulmit është ish-bashkëshorti i cili është arrestuar nga policia pak pasi ka ndodhur ngjarja.
“Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 kemi pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri. Për pasojë nga të shtënat e armës së zjarrit një person i gjinisë femërore ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Kjo është konfirmuar nga mjekët kujdestarë, ndërsa është plagosur një person i gjinisë mashkullore, i cili është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj. I dyshuari pasi ka shtënë me armë zjarri është larguar në drejtim të panjohur. Ekipe të policisë menjëherë kanë rrethuar zonën dhe në ora 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje”-njofton policia e Kosovës.
Për ngjarjen ka folur edhe Kryeprokurori në Ferizaj, Shukri Jashari, i cili ka thënë për Gazetën Express se dyshohet që gruaja është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj pas një mosmarrëveshje.
“Për momentin nuk kemi informacione, mirëpo dyshojmë që motivi është te një mosmarrëveshje mes ish-bashkëshortëve. Ata janë takuar afër Qendrës për Punë Sociale dhe aty ka ndodhur rasti. Personi [ish-bashkëshorti] është arrestuar”.
Ky është rasti i dytë në pak muaj që një grua vritet në Kosovë. Liridona Ademaj u vra mbrëmjen e 29 nëntorit 2023 në Prishtinë dhe për ngjarjen u arrestua bashkëshorti i saj Naim Murseli si porositës.