Vendosni fjalën kyçe....

Beteja për pacientin si trinom i shenjtë: Mision, pasion e dashuri


Nga Dorian Sadiku

Shëndetësia është një nga zejet më komplekse dhe më të vështira të njeriut. Ajo është një seri betejash për cilësinë e jetës ku marrin pjesë me dhjetra e dhjetra specialitete, është një spirale betejash, ku fatkeqësisht, lufta finale është e destinuar të jetë e humbur. Sido që ta bëjmë detyrën dhe sido që të funksionojnë hallkat e pafundme të saj, fundi është një epilog që dihet. 

Por pikërisht për këtë gjë, fitorja reale është rruga sesi mbërrihet aty: me beteja të fituara me mençuri e dinjitet, duke shmangur sa të mundim të papriturat, gabimet njerëzore apo ato të vetë sistemit. Roli i farmaceutikës është ai i një hallke jashtëzakonisht të rëndësishme në sistemin e shëndetësisë; çdo defekt apo mosfunksionim i tij infekton gjithë sistemin dhe dëmton betejën për pacientin, cilësinë e jetës së tij, por dhe për të afërmit në veçanti apo shoqërinë në përgjithësi, e cila gjithashtu dëmtohet nga mungesa e pacientit në apel.

Në këtë kohë ku edhe në Tiranë, si në gjithë botën, paraja ka marrë statusin e Perëndisë, unë besoj fort se sidomos në shëndetësi, pasioni si mision dhe vetë misioni i kryer me dashuri, janë ndoshta po aq të rëndësishme sa vetë perëndia para.

Besoj se janë katër çështje konkrete që lidhen drejtpërdrejt me cilësinë e shërbimit shëndetësor. Duke nisur me recetën elektronike edhe për barnat e parimbursueshme. Receta tradicionale dhe ajo elektronike, edhe nëse janë fiks e njëjta gjë, kanë një diferencë të jashtëzakonshme me njëra-tjetrën. Ato qëndrojnë përballë njëra-tjetrës si makina e dikurshme e shkrimit me kompiuterin e sotëm. 

Me të dy këto mjete mund të shkruhet, por makinës së shkrimit nuk mund t’i ankohesh as për rezolucion ngjyrash dhe as për shpejtësi interneti. Por në rastin e recetës tradicionale, farmacisti është i detyruar të deshifrojë shpesh hieroglife të pakuptueshme dhe në rast të ngatërrimit të mjekimit, ai është edhe fajtori që ka bërë mëkat. Të gjitha përshkrimet në këtë sistem elektronik duhet të jenë me emër gjenerik dhe jo me emër tregtar.

Ashtu sikundër mjeku është përgjegjës për terapinë e mjekimit, ashtu është edhe mjeku-farmacist përgjegjës për cilësinë e kësaj terapie. Përpos marrëdhënies pacient-farmacist, ku pacienti duhet të ketë besimin në përzgjedhjen e barnave, kemi edhe aspektin tregtar, ku secili pronar farmacie do ketë mundësi të menaxhojë më mirë stokun e barnave sipas kategorive të caktuara dhe jo në bazë të interesit të ditës. 

Pra, shtrirja e recetës elektronike edhe te barnat jashtë listës, jo vetëm që rrit efikasitetin dhe lehtëson qarkullimin e barnave, por edhe minimizon gabimet e mundshme në shkrimin dhe interpretimin e recetave. Gjithashtu, kjo shtrirje kontribuon në luftën kundër abuzimit me barnat, pasi siguron një regjistrim të saktë dhe të verifikueshëm të çdo recete dhe transaksioni.