Vendosni fjalën kyçe....

“Do vijnë me një këmbë, ndryshe i sjell policia. PS barrikadë e të akuzuarve për TIMS-in”


Deputeti i PD-së Ervin Salianji tha se dëshmitarët që do thirren në Komisionin Hetimor për sistemin TIMS mund të shoqërohen nga policia nëse nuk pranojnë të vijnë vullnetarisht.

Ai akuzoi deputetët e PS-së se po bëhen mburojë për emrat që po hetohen për marrjen e të dhënave.

Salianji tha në emisionin “Kjo Javë” se kreu i IT-së në Policinë e Shtetit Ervin Muça nuk ka pasur certifikatë sigurie dhe nuk duhet të mbante pozicionin në fjalë.

“Ka tentativa nga PS të dalë dhe të bëhet barrikadë dhe të mbledhë të gjithë llumin që u hidhet përsipër këtyre njerëzve për t’i mbrojtur. Përderisa ka ndërhyrje të paligjshme, dyshimet duhet të jenë të të gjitha formave. Cila është arsyeja që një personazh ka qenë në drejtorinë e Tatimeve, kur ka pasur rrjedhje të dhënash, ka pasur problematike të AKSH, kur ka ftuar njerëz të paautorizuar për të ndërhyrë të dhënat e sistemit TIMS. Drejtor i IT në Policinë e Shtetit dhe ka akses në të dhëna, kur nuk ka certifikatë sigurie. Po flas për një rast që është shprehur Prokuroria e Tiranës, që ka dalë në konkluzion se ka patur ndërhyrje të TIMS dhe aty ka dhe persona që kanë thënë se na kanë bërë presion për të kopjuar të dhënat, për të dhënë kodet. Fakti që kryeministri dhe ministri e kanë përmendur dhe kanë vendosur të mbrojnë këtë akt paligjshmërie, do të thotë që përfshirja pretendohet të jetë deri në atë nivel. Detyrimi për të dëshmuar nuk është me dëshirë. Nëse nuk vijnë shoqërohen me polici. Përpjekja e PS është ta bllokojë në komision duke përdorur votë për të qenë dëshmitarë. Do të vijnë me një këmbë, nuk kanë si i shmangen.” tha Salianji.