Një ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara u dënua të premten me 15 vjet burgim pasi u deklarua fajtor për akuzat se shërbeu për dekada si agjent sekret i agjencisë së spiunazhit të Kubës.
Departamenti i Drejtësisë i kishte përshkruar veprimet e Manuel Rocha, si një nga infiltrimet më serioze dhe më të mëdha të qeverisë amerikane në histori.
“Lajmi dhe dënimi i sotëm i jep fund më shumë se katër dekadave të tradhtisë dhe mashtrimit nga i pandehuri”, tha Ndihmësprokurori i Përgjithshëm Mattheë G. Olsen në një deklaratë të premten.
Dënimi erdhi pas një operacioni të fshehtë njëvjeçar mes viteve 2022 dhe 2023, të kryer nga një agjent i FBI-së, i paraqitur si një spiun kuban. Gjatë atij operacioni, agjenti i fshehtë regjistroi fshehurazi Rocha-n duke dhënë hollësi për punën e tij si spiun dhe duke iu referuar vazhdimisht Shteteve të Bashkuara si “armik”, sipas Departamentit të Drejtësisë.
Rocha i tha agjentit të FBI-së se puna e tij e spiunazhit ishte “në shërbim të Revolucionit, të cilin e kishte forcuar jashtëzakonisht”, pretendoi Departamenti i Drejtësisë. Prokurorët thanë gjithashtu se Rocha i tha agjentit të fshehtë të FBI-së se Drejtoria e Përgjithshme e Inteligjencës së Kubës “më kërkoi të bëja një jetë normale”.
Pasi ai u deklarua i pafajshëm, Rocha pranoi të deklarohej fajtor në shkurt për akuzat e komplotit për veprimin si agjent i një qeverie të huaj. Prokurorët në atë kohë hoqën 13 akuza të tjera, duke përfshirë mashtrimin dhe dhënien e deklaratave të rreme, raportoi Associated Press. Të premten, Rocha u deklarua gjithashtu fajtor për veprimin si agjent i një qeverie të huaj pa paralajmërim.
Ish-punonjësi i Departamentit të Shtetit, i cili gjithashtu shërbeu në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe si ambasador i SHBA-së në Bolivi, pranoi se kishte spiunuar Shtetet e Bashkuara për më shumë se 40 vjet, duke filluar operacionet e fshehta që në vitin 1973. I lindur në Kolumbi, Rocha u natyralizua qytetar amerikan në vitin 1978 dhe filloi të ngjitej në rangjet e Departamentit të Shtetit në 1981, thanë prokurorët.
Gjatë katër dekadave, Rocha shërbeu në ambasadat e SHBA-së në Argjentinë, Republikën Domenikane, Honduras dhe Meksikë. Nga mesi i vitit 1994 deri në mesin e 1995, ai punoi në Këshillin e Sigurisë Kombëtare me një portofol që përfshinte Kubën. Ai u betua si ambasador i SHBA-së në Bolivi në korrik 2000, dhe në atë punë dhe në punë të tjera ai fitoi qasje në sekretet kombëtare, duke përfshirë informacione të klasifikuara, të cilat dyshohet se i ndante me operativët e inteligjencës kubane.
Midis viteve 2006 dhe 2012, Rocha këshilloi zyrtarët ushtarakë në Komandën Jugore të SHBA-së, një degë ushtarake përgjegjësia e së cilës përfshin Kubën.
“Të tradhtosh këtë besim duke u zotuar në mënyrë të rreme për besnikëri ndaj Shteteve të Bashkuara ndërkohë që i shërben një fuqie të huaj është një krim që do përballet me forcën e plotë të Departamentit të Drejtësisë,” u tha gazetarëve Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland kur u publikuan lajmet për akuzat.
Prokurorët nuk përshkruan në kallëzim penal akte specifike spiunazhi ose se si FBI-ja arriti të dyshonte, por ata thanë se agjencia mori një informacion për të përpara nëntorit 2022.
Agjenti i fshehtë i FBI-së i tha Rocha-s se ata ishte përfaqësues i një agjencie kubane të inteligjencës në Miami dhe se misioni ishte të “krijonte një plan të ri komunikimi” me Rocha-n, i cili ra dakord të takohej me agjentin e fshehtë.
Gjatë atyre takimeve në një piknik në natyrë, ish-ambasadori dyshohet se tha se ai krijoi reputacion publik si një “person i krahut të djathtë”, edhe pse ishte vërtet i përkushtuar ndaj Kubës komuniste. Ai lavdëroi Fidel Kastron dhe iu referua anëtarëve të tjerë të agjencisë së inteligjencës kubane si shokët e tij, thanë prokurorët.
Pas operacionit që zgjati një vit, Rocha u arrestua në dhjetor. Përveç dënimit me burg, gjykata federale urdhëroi Rocha të paguajë 500,000 dollarë, të humbasë pagesat e ardhshme të pensionit, të bashkëpunojë me qeverinë e SHBA-së dhe të ndajë hollësitë e marrëdhënieve të tij me Kubën. Rocha gjithashtu ra dakord në marrëveshjen e pranimit të fajësisë për të punuar në fshehtësi për qeverinë e SHBA-së nëse agjentët e kërkojnë atë.
“Dënimi 15-vjeçar i Rocha-s, dënimi maksimal për krimet e tij, dërgon një mesazh të fuqishëm për ata që veprojnë ose kërkojnë të veprojnë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara për një qeveri të huaj,” tha Markenzy Lapointe, prokuror për Distriktrin eFlorida-s.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektualee e Washington Post
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani