Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e 21-vjeçares në Ferizaj, i dyshuari e kishte blerë armën nga një klient i tij


I dyshuari për vrasjen e 21-vjeçares dhe plagosjen e e vëllait të saj 15-vjeçar në objektin e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, 36-vjeçari Valon Aliu, u paraqit në seancën për caktimin e masës së sigurisë.Në seancën e datës 13.04.2024, prokurori i Ferizajt, Valdet Avdiu, paraqiti dyshimet që janë ngritur për ngjarjen tragjike që ndodhi më 12.04.2024.

Ai tha se ngjarja ka ndodhur në zyrën e njërës prej punëtoreve sociale në QPS Ferizaj. Prokurori Avdiu tha se ndaj Valon Aliut ekziston dyshimi se me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E.C, me të cilën ka bashkëjetuar, duke e goditur me armë disa herë në kokë dhe duke plagosur në krah vëllain e të ndjerës.

Arma që u përdor në rast sipas prokurorit ishte pistoletë e tipit Zoraki m2906-T me kalibër 9 milimetër.Arma është sekuestruar bashkë me një karikator të zbrazët.Në kallëzimin penal kundër të pandehurit Valon Aliu, ai po dyshohet për veprat penale – vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas kallëzimit penal që ka siguruar KALLXO.com, dëshmitare në këtë rast ka qenë punëtorja sociale Qëndresa Zymeri, e cila pos tjerash ka deklaruar se më 12.04.2024, rreth orës 14:40, në zyrën e saj në QPS, i pandehuri ka shtënë me armë disa herë në drejtim të të ndjerës, si dhe në drejtim të të dëmtuarit, vëllait të viktimës.

Edhe i dyshuari, në deklaratën e tij në polici ka thënë se brenda në zyre është takuar me të ndjerën, vëllain e saj dhe punëtoren e QPS-së. Sipas tij, aty ka filluar fjalosja dhe në një moment ka nxjerrë armën dhe fillimisht ka shtënë në drejtim të të ndjerës apo vëllait të saj pastaj sërish ka shtënë dy apo tri herë në drejtim të të ndjerës E.C dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Kurse sa i përket armës, të njëjtën e ka blerë në Ferizaj nga një klient dhe nuk ka pasur leje për armë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Kallxo.com