Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka paralajmëruar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu se Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin pjesë në ndonjë kundërofensivë kundër Iranit, pas sulmit masiv të Teheranit me dronë dhe raketa në territorin izraelit, kanë thënë zyrtarët.
Kërcënimi i një lufte të hapur në mes të rivalëve të përbetuar në Lindje të Mesme, dhe përfshirja e SHBA-së në të, e ka rritur presionin në shumë rajone të botës, prandaj janë shtuar thirrjet për vetëpërmbajtje dhe shmangie të përshkallëzimit të mëtejmë të situatës.
SHBA-ja do të vazhdojë t’i ndihmojë Izraelit të mbrojë veten, por nuk dëshiron luftë, ka thënë John Kirby, zëdhënës për Siguri Kombëtare të SHBA-së, në disa komente për transmetuesin ABC.
Mbreti i Jordanisë, Abdullah i ka thënë Bidenit, përmes telefonit, se çdo përshkallëzim prej Izraelit do ta zgjeronte konfliktin në rajon, ka raportuar media shtetërore e Jordanisë.
Zyrtarët izraelitë kanë thënë pesë anëtarët e kabinetit të luftës në Izrael kërkojnë hakmarrje, ndonëse paneli është i ndarë për kohën dhe shkallën e një përgjigjeje eventuale.
Irani e ka sulmuar Izraelin, si shenjë hakmarrjeje për një sulm në konsullatën iraniane në Siri, më 1 prill, si pasojë e së cilit janë vrarë figura ushtarake kyçe.