Vendosni fjalën kyçe....

Turqia i kërkon Iranit dhe Izralit të mos përshkallëzojnë situatën në rajon


Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, në një telefonatë me homologun e tij iranian, Hossein Amir-Abdollahian, pas hakmarrjes së Teheranit kundër Izraelit, ka theksuar se Turqia nuk dëshiron ndonjë përshkallëzim të mëtejshëm në rajon, raporton Anadolu.

Sipas informacioneve të marra nga burime diplomatike, kryediplomati iranian në telefonatë tha se operacioni hakmarrës kundër Izraelit ka përfunduar dhe se Irani nuk do të nisë një operacion të ri nëse nuk sulmohet nga Izraeli.

Amir-Abdollahian po ashtu tha se nëse Irani sulmohet përsëri, atëherë Teherani do të japë një “përgjigje më të fortë” këtë herë.

Mbrëmë, Irani lëshoi një breshëri dronësh dhe raketash në Izrael në përgjigje të sulmit të 1 prillit ndaj konsullatës iraniane në Damask.

Sulmi, që vrau shtatë zyrtar ushtarak iranianë, duke përfshirë një komandant të lartë të IRGC-së, tërhoqi reagime të ashpra nga zyrtarët e qeverisë iraniane, të cilët u zotuan për “përgjigje vendimtare”.

Sipas disa raporteve të pakonfirmuara, IRGC-ja lëshoi më shumë se 300 drone dhe raketa në një sulm që zgjati disa orë, shumë prej të cilave u kapën nga sistemet izraelite të mbrojtjes ajrore.