Vendosni fjalën kyçe....

Braktisja e mbledhjes së ‘TIMS’ nga PS, Gogu: Po shkelej hapur ligji. Salianji: Kërkoni të mos bëjmë as kërkesa për informacion


Një përpjekje për të ndaluar paligjshmërinë, e cilësoi Toni Gogu vendimin e mazhorancës për të braktisur mbledhjen e komisionit hetimor të TIMS pasditen e së hënës, ku palët diskutuan për më shumë se një orë mbi kërkesat për informacion që duhet t’i dërgojnë institucioneve publike.

Në një reagim, nënkryetari i komisionit u kujdes të shpjegonte se mazhoranca është e gatshme të votojë çdo kërkesë për informacion, por kërkon vendimi të merret me proces të rregullt votimi.

“Votojmë çdo kërkesë për informacion! Votojmë planin e hetimit!  Votojmë çdo ndryshim apo plotësim të këtij pani!  VOTIMI është rregulli bazë në vendimmarrjen e një Komisioni. Ndaj kur kolegëve të Komisionit iu heq të drejtën për të VOTUAR, se bën sikur nuk i dëgjon, apo bën sikur nuk i sheh, jo vetëm që shkel ligjin, por i heq edhe Komisionit mundësinë që të marrë Vendime. Sa i paaftë apo në keqdashje duhet të jesh që të mos e kuptosh këtë?!”, shkroi Toni Gogu.

Ndërsa kryetari i komisionit, demokrati Ervin Salianji iu përgjigj me një deklaratë nga Kryesia e Kuvendit, me të njëjtën retorikë të përdorur gjatë punës së komisionit, se mazhoranca i druhet informacioneve që mund të sjellin institucionet publike në funksion të hetimit parlamentar.

“E pa dëgjuar është që përfaqësues të mazhorancës të bojkotojnë komisionet hetimore dhe Parlamentit. Ikën dje si skuthat, njëlloj si ndërhyrja në sistemin TIMS për qëllime kriminale. Kam depozituar dje kërkesat për informacion të firmosura nga unë, drejtuar Ramës, ministrit të brendshme, Drejtorit të Policisë, drejtorit të AMP, drejtores së Shërbimit Informativ. PS kërkon që ne të mos bëjmë as kërkesa për informacion dhe të korrektojmë kërkesat nga ekspertët“, u shpreh Salianji.

Institucioneve të cilave u është drejtuar me kërkesa për informacion u kujtoi detyrimin ligjor për të kthyer përgjigje brenda një afati 5 ditor, në të kundër Salianji i paralajmëroi me kallëzime penale. Debatet mes palëve nisën pas mbledhjes së të premtes kur lista me kërkesat për informacion u miratua me 7 vota pro të opozitës dhe 6 kundër të mazhorancës, në mungesë të 2 deputetëve socialistë, që mund të ndryshonin rezultatin e votimit.