Vendosni fjalën kyçe....

IKMT-ja aksion në Tushemisht për prishjen e objekteve pa leje, kryeinspektori: Pastrojmë bregun e liqenit


Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit në Pogradec mbështetur dhe nga Policia Bashkiake e qytetit, ka vijuar aksionin e prishjes së objekteve buzë liqenit, këtë here në zonën e Tushemishtit. Aksioni ka nisur prej disa javësh, ku janë prishur dhjetëra objekte të ndërtuara buzë liqenit pa leje në 30 vitet e fundit. Faza e parë e tij përfshin vijën liqenore brenda në qytet, ndërsa në fazën vijuese pritet që aksioni të zhvendoset në zonën e Udënishtit, Mëmëlishtit dhe Linit.

Kryeinspektori i IMT Nertil Çollaku thotë se ndërtimet e paligjshme janë evidentuar nga një inspektim i përbashkët me IMT Kombëtar. Ndërsa shton se nuk ka pasur kundërshtime nga banorët.

“Kemi proceduar prej afro një muaj, ku kemi filluar me radhë në pjesën e bregut të liqenit për të bërë pastrimin dhe kthimin në gjendjen siç ka qenë më parë të bregut për qytetarët dhe turistët për plazh, janë 12 objekte që janë bërë verifikime që janë pa leje. Mund të ketë edhe 30 vite që janë bërë platforma betoni apo ura që kanë qenë në funksion të një familje. Ka pasur kontestime të vogla, për arsye se njerëzit nuk e njohin ligjin. Aksioni do vijojë në gjithë vijën liqenore”, u shpreh Inspektori.

Me herët aksioni i IMT ka nisur në afërsi të qendrës së qytetit. Ndërkaq ndërhyrja për prishjen e objekteve të ndërtuar në liqen, bëhet në prag të çeljes së sezonit veror për të shtuar sipërfaqen e plazheve në shfrytëzim nga vizitorët dhe banorët.