Vendosni fjalën kyçe....

KLP reagon ndaj sulmeve të Metës ndaj Dumanit: Të mos cenohet puna e prokurorëve të SPAK-ut


Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dënuar sulmin e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ndaj kryetarit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, të cilin e akuzoi se kishte takuar ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal.

Në një reagim për shtyp, KLP e cilëson si shqetësuese dhe të ndjeshme deklaratën e Meta-s që konsideron të fyese dhe të intimidueshme. Këshilli bën thirrje për të mos cenohet puna e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.

“Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me shqetësim ditët e fundit, deklaratat e subjekteve të veçanta në mediat audio vizive dhe ato elektronike, lidhur me prokurorët e Prokurorisë së Posaçme pranë (SPAK) dhe kreut të saj. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme”, thuhet në reagim.

KLP thotë se Dumani mund  të bëjë ankesë, ndërsa garanton mbështetje ndaj çdo prokurori.

“Çdo subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë, ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim, ankesë apo kundërshtim në Gjykatën kompetente të parashikuar nga ligji për dhënien e drejtësisë. Kjo, në një shtet demokratik, është e vetmja mënyrë për të arritur tek e vërteta. Në të njëjtën kohë Këshilli mbështet pa rezerva veprimtarinë ligjore të çdo prokurori të sistemit të prokurorisë, duke i inkurajuar ata të vijojnë të ushtrojnë me kompetencë dhe pavarësi të plotë funksionin e tyre për ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës ndaj kujtdo, në emër të shtetit shqiptar, të pa ndikuar nga askush.”

Ndonëse Dumani sqaroi gazetarët se nuk është takuar asnjëherë me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së McGonigal, Meta përsëriti akuzat ndaj drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, madje e cilësoi atë si “vrasës të pluralizimit”.