Vendosni fjalën kyçe....

I shpallur në kërkim për vrasjen e Briken Sanajt te ‘Kodra e Diellit’, arrestohet në Gjermani shqiptari 


Arrestohet në Gjermani autori i dyshuar i vrasjes së Briken Sanajt.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se dje, si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Wiesbaden, në Gjermani u bë arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Vladimir Kola, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana.

Sanaj akuzohet për plagosje me pasoje vdekjen, keqtrajtim, vrasje, armëmbajtje pa leje, eksplozive etj.

Kujtojmë se më 3 tetor të vitit 2022, rreth orës 22:50 te Kodra e Diellit, shtetasi Vladimir Kola në bashkëpunim me persona të tjerë ka qëlluar për vdekje shtetasin Briken Sanaj.

NJOFTIMI I POLICISË

“Policia e Shtetit/Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme me homologët, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.  

Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe homologëve gjermanë, finalizohet operacioni policor i koduar “Versus”. 

I akuzuar për vrasje me paramendim, në vitin 2022, kapet në Gjermani, pas shkëmbimit të informacionit mes palëve, dhe arrestohet me qëllim ekstradimi në Shqipëri, 41-vjeçari.   

Në vijim të punës për gjurmimin, lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara nga DVP Tiranë dhe shkëmbimin e tyre në kohë reale, mes Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i përbashkët, i koduar “Versus”.                  

Në kuadër të këtij operacioni, është lokalizuar në qytetin Gelsenkirchen, Gjermani, dhe është arrestuar më qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi shqiptar V.(V.) K., 41 vjeç.             

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Tiranës, me vendimin e datë 23.11.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.     

Më datë 30.10.2022, në zonën e quajtur “Kodra e Diellit”, shtetasi V.(V.) K., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin B. S.           

Vijon puna për ekstradimin e 41-vjeçarit, në Shqipëri”.