Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli ndaj akuzave të komisionit të OKB: Deklarata antisemitike dhe antiizraelite


Izraeli ka akuzuar anëtarët e komisionit të Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës në rajon për deklarata antisemitike dhe anti-izraelite. Ky koment vjen pasi një komisioner i OKB-së akuzoi Izraelin se po pengon në mënyrë aktive përpjekjet për të mbledhur prova nga dëshmitarët për sulmet e Hamasit të 7 tetorit.

“1200 personat e vrarë (në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor), gratë dhe vajzat e përdhunuara, pengjet e marra në Gaza, e dinë shumë mirë se nuk do të kenë kurrë drejtësi apo trajtimin dinjitoz që meritojnë nga Komisioni Hetimor dhe anëtarët e tij, të cilët kanë një histori të deklaratave antisemitike dhe anti-izraelite”, tha për CNN misioni i Izraelit në OKB në Gjenevë.

Misioni izraelit në OKB nuk dha asnjë provë apo informacion të mëtejshëm për të mbështetur pretendimet e tij.

Komisioneri Chris Sidoti, tha të martën se qeveria izraelite po pengonte në mënyrë aktive “përpjekjet për të marrë prova nga dëshmitarët për ngjarjet që ndodhën në Izraelin jugor”.

Misioni izraelit i OKB-së i tha CNN se Izraeli kishte kryer “hetime të brendshme të plota” mbi krimet e kryera nga Hamasi gjatë sulmit të tij ndaj Izraelit dhe se “po mblidhte me përpikëri prova dhe dëshmi për t’u dhënë drejtësi të prekurve”.

“Për më tepër, mekanizmat dhe institucionet e pavarura, duke përfshirë përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara, kanë qenë në Izrael dhe janë takuar me të mbijetuarit e sulmit terrorist”, shtoi misioni i OKB-së i Izraelit.