Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi thumbon Metën: Asgjë e re, film i vjetër, dihet përfundimi


Monika Kryemadhi ka thumbuar sot bashkëshortin e saj dhe kreun e PL-së Ilir Metën, në lidhje me zhvillimet e fundit brenda kësaj force politike, ku vet Meta ka deklaruar dhënien fund të nepotizmit në parti, duke lënë të kuptohet edhe një krisje në raportet me Kryemadhin.

Në reagimin e saj të postuar në rrjetet sociale, Kryemadhi shprehet se shqiptarët presin nga opozita ide dhe vizion me propozime konkrete, që ngjallin shpresë dhe besim për popullin shqiptar. Sipas saj, zhurma e bërë së fundmi nga opozita, shërben vetëm për shfokusimin nga çështja e inceneratorëve që ajo e ka kallëzuar personalisht.

“Filmat e vjetër me të njejtin përfundim janë pa interes për shumicën e shqiptarëve.” – shprehet Kryemadhi.

 

Postimi i Kryemadhit:

Shfokusimi nga INCENERATORËT që unë kam kallëzuar me përgjegjësinë e firmës time dhe protagonizmi BOSH janë sot shërbimi më i mirë që mund ti bësh Edi Ramës, Erion Veliaj & Bandës së tyre.

Denoncimi me fakte, prova dhe firmë konkrete kundër bandës në qeveri dhe bashki; këto janë tema kryesore që mendoj se duhet të udhëheqin aksionin opozitar.

Gjithashtu, unë besoj se shqiptarët presin nga Opozita ide, vizion dhe propozime konkrete, që ngjallin shpresë dhe besim për popullin shqiptar. Se si do të rrisim mirëqenien dhe sigurinë e tyre.

Filmat e vjetër me të njejtin përfundim janë pa interes për shumicën e shqiptarëve.