Kreu i Partisë së Lirisë, Meta, lëshoi sot një batare shpërthimesh e akuzash ndaj kreut të SPAK-ut Altin Dumani.
Në bashkëbisedimin me gazetarët që zgjati 72 minuta, emri i Dumanit u lakua në pjesën dërrmuese të fjalës së Metës, i cili në jo pak raaste bëri edhe deklarata të forta duke përmendur fjalët “burg”, “vdekje” si dhe etiketime fyese ndaj kreut të SPAK-ut të cilin e quajti “teveqel”, “injorant”, “legen” e “palaço”.
Ndërsa e nisi konferencën duke shpjeguar riorganizimin e partisë në konventën e 27 prillit, strukturat e reja drejtuese, gjë të cilën e lajmëroi edhe në bashkësbisedimin e djeshëm, shumë shpejt ai iu rikthye sulmit ndaj kreut të SPAK-ut, Dumani.
Meta e cilësoi kreun e SPAK-ut një pistoletë në duart e Edi Ramës për të vrarë pluralizmin e demokracinë në Shqipëri.
Ai pati edhe një mesazh për Dumanin e Ambasadën Amerikane duke thënë se nuk ka frikë nga “amerikanët si Adrian Dvorani e McGonigal.” dhe “për ato non gratat nuk ekziston një shqetësim i tillë kurrë për mua.”
Çfarë tha Meta ndaj Dumanit
“Po i them Dumdumanit, tre herë me një gazetare që të del te “Metamorfoza”, i ke përmend emrin tim. Ke çuar dhe njerëz që të më mbushin mendjen që të ik nga Shqipëria. Pse legen si puna jote jam unë, gjurmon vjehrrën time të marrësh peng familjen time, mendon se do marrësh peng Partinë e Lirisë që t’ia çoj atij tarallakut. Ilir Meta nga burgu do e shkrijë atë celulë kriminale o palace. Hajde dil në TV me mua meqë ke vendos të merresh me politikë. Si flet ti në emër të SPAK-ut.”
“Mbështes deklaratën e Ambasadës së SHBA, mbështes edhe deklaratën e KLP që u krijua nga emërimet e Arta Markut, jua sqarova dje. Kërkoj ndjesë prokurorëve të SPAK-ut që nuk janë si Dumani. E kam thënë edhe më parë që në SPAK ka Dum Duman po ka dhe prokurorë që luftojnë krimin. Pse mo palace, ka frikë Ilir Meta nga burgu yt dhe amerikanëve si Adrian Dvorani dhe McGonigali?”
“’Nuk je për të bërë zëdhënësin e partisë së Rilindjes. Të kanë thënë amerikanët të më fusësh në burg. Kur të duash ti. Ballafaqohemi kur të duash. O palaço o dum Duman. Ti hape CEZ-DIA në dhjetor 2019 me urdhër të Edi Ramës. Ça presim ne, që ti të thuash se ke takuar Mc Gonigal. O torollak, por Ilir Meta në atë vit ka qenë ministër i Jashtëm. Ti merresh me atë punë se nuk ke takat të arrestosh Erion Veliajn. Ti nuk ke takat të thërrasësh Edi Ramën që ka bërë ata vendime qeverisë në kundërshtim të plotë me ligjin sepse ti je prokuror jo i amerikanëve por i Engjëll Agaçit. Ka amerikanë të ndershëm dhe ka dhe Mc Gonigal.”
“Jam kristal i pastër. Dumani është përpjekur që të falsifikojë një proces të tërë. Ka marrë përsipër si i fortë se do bëjë naming. Nuk ka kurajo të merret me aferën e Ramës e Damianit 600 milionë euro. Por me çështje që janë hapur nga persona delinkuent. E ftoj SPAK-un të më thërrasë që tani kur t’u bëj unë pyetje prokurorëve të Dumdumanit.”
“Për Dumdumanin Arben Ahmetaj bëri një deklaratë, bëri të qartë që s’kishte lidhje me procedurën e inceneratorit. Në ato që tha aludoi qartë për Ramën dhe Veliaj. KLP-ja që qenka shqetësuar shumë. KLP t’i thotë të mos bëjë deklarata politike, të veprojë sipas ligjit dhe Kushtetutës. Dumdumani mblodhi gazetarët dhe tha prisni se do ketë surpriza për Arben Ahmetaj. Dumdumani donte t’i jepte mesazh Ahmetajt të mbyllë gojën.”
“Dumdumani, florinjtë e mi, fabrikat e mia, vilat e mia t’i marrë dhe t’ia çojë popullit. Nuk kam asnjë merak. Këtu e vë krevatin te selia. Shkon më atë çantë si teveqel që të marrë Partinë e Lirisë e t’ia çojë Edi Ramës. Dumdumani është palaço, është shndërruar në pistoletë të Edi Ramës për të vrarë pluralizmin politik. Dumdumani nuk ka këllqe të merret me çështjen e detit.”