Vendosni fjalën kyçe....

Nga Afrika në Azi, Shqipëria zgjeron shtrirjen e përfaqësimit diplomatik


Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka njoftuar ditën e sotme se Shqipëria do të ketë së shpejti përfaqësitë e saj diplomatike edhe në Kenia, Indi dhe Indonezi,

Hasani u shpreh se në Këshillin e Ministrave u miratua hapja e ambasadave në këto tre shtete nisur nga objektivat strategjike afatmesme dhe afatgjata, të nxitur nga kërkesa e vazhdueshme, për të qenë edhe më efektivë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Njoftimi i plotë:

Shqipëria do të ketë së afërmi përfaqësitë e saj diplomatike edhe në Kenia, Indi e Indonezi, duke forcuar kështu pasaportën shqiptare në botë.

Në Këshillin e Ministrave, sot miratuam hapjen e ambasadave në këto 3 shtete, nisur nga objektivat strategjike afatmesme dhe afatgjata, të nxitur nga kërkesa e vazhdueshme, për të qenë edhe më efektivë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kjo nismë u mor nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke vlerësuar kontributin dhe peshën specifike që çdo vend projekton në arenën ndërkombëtare dhe rolin gjithnjë e më të madh të Shqipërisë në organizmat ndërkombëtarë.

Turizmi dhe zgjerimi i hartës së lëvizjeve të shtetasve shqiptarë për qëllime turistike, është një tjetër argument, mbi të cilin MEPJ u mbështet për propozimin e hapjes së 3 përfaqësive të reja.

Pas vendimit të sotëm, numri i përfaqësive shqiptare në botë shkon në 60, ndër të cilat 44 ambasada, 9 konsullata të përgjithshme dhe 9 misione të përhershme.