Një tubim i elitës së djathtë të Evropës në Bruksel u zhyt në kaos të martën, ndërsa policia mbylli konferencën, duke vendosur pengesa në hyrjen e sallës duke shkaktuar zemërim të gjerë.
Policia mbylli papritmas Konferencën Kombëtare të Konservatorizmit, ku merrnin pjesë edhe kryeministri i Hungarisë Viktor Orban dhe politikani i njohur britanik Nigel Farage “për shkak të mundësisë së trazivare publike”, tha një oficer, siç citohet nga Politico.
Forcat e rendit mbërritën dy orë pas ngjarjes në vendin ku po mbahej takimi, ku Farage ishte caktuar të fliste, duke informuar organizatorët për mbylljen. Farage kritikoi autoritetet si “monstruoze” për anulimin e ngjarjes.
Ndërsa u ngjit në skenë për të folur, Farage kritikoi autoritetet e Brukselit.
“E dija se nuk do isha i mirëpritur të kthehesha në Bruksel”, tha ish-deputeti i Parlamentit Evropian.
Kampioni i Brexit nuk ishte i vetëm në kritikat e tij thumbuese ndaj burokracisë së qytetit.
“Është me të vërtetë diçka si në një diktaturë,” tha për POLITICO Frank Füredi, një nga organizatorët nga grupi i mendimit të krahut të djathtë MÇ, i cili është bashkëorganizatori i ngjarjes.
“Ata po përpiqen të përdorin një arsye teknike për të nxjerrë një pikë politike. Ata i thanë pronarit që nëse nuk mbyllet, do ndërpresin energjinë elektrike.”
Kryeministri belg Alexander De Croo, një liberal flamand, tha gjithashtu: “Ajo që ndodhi sot në Claridge është e papranueshme. Autonomia komunale është një gur themeli i demokracisë sonë, por kurrë nuk mund të dalë mbi Kushtetutën belge që garanton lirinë e fjalës dhe tubimin paqësor që nga viti 1830. Ndalimi i takimeve politike është antikushtetues.”
Farage nderoi pronarin e Claridge, duke e quajtur atë një “burrë trim tunizian” i cili iu kundërvu ” ngatërrestarëve” që donin të mbyllnin konferencën.
“Sot jemi përballë një dileme klasike, ajo përsëritet në çdo dekadë: nëse zgjedhim të flasim me njëri-tjetrin dhe jo të gjykojmë njëri-tjetrin, apo vendosim të zgjerojmë konfliktet dhe arsyet për t’u ndarë,” tha ai.
Orbán, i cili është planifikuar të flasë në konferencë të mërkurën, kritikoi “udhëheqjen e majtë liberale” të Brukselit gjatë një konference për shtyp në Parlamentin Evropian.
Një zëdhënës i kryeministrit konservator të Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, gjithashtu u shpreh për çështjen, duke thënë se “këto raporte janë jashtëzakonisht shqetësuese”.
“Kryeministri është një mbështetës dhe mbrojtës i fortë i fjalës së lirë. Ai e ka shumë të qartë se anulimi i ngjarjeve ose moslënia e folësve është e dëmshme për fjalën e lirë dhe demokracinë”, tha zëdhënësi.