Vendosni fjalën kyçe....

Të paktën dhjetë të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë


Të paktën dhjetë persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur gjatë sulmeve ajrore ruse në qytetin e Çernihivit, sulme që presidenti Volodymyr Zelensky, tha se nuk mund të zmbrapseshin sepse Ukraina ka mungesë “të madhe” të mbrojtjes ajrore.

Ai tha se mungesa e sistemeve të mbrojtjes ajrore është për shkak të pakësimit të furnizimeve nga aleatët, veçmas nga Shtetet e Bashkuara, ku politikanët kanë bllokuar një paketë të ndihmës ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 62 miliardë dollarësh.

Vyacheslav Chaus, guvernatori i rajonit të Çernihivit, tha se sulmet ajrore nga forcat ruse ndodhën pas lëshimit të sirenave paralajmëruese në orën 08:50 më 17 prill. Të paktën dhjetë persona janë konfirmuar se janë vrarë dhe 20 të tjerë janë plagosur, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i qytetit të Çernihivit, Oleksandr Lomako, tha se sulmet goditën infrastrukturën civile të qytetit, i cili gjendet rreth 145 kilometra në veri të Kievit.

Çernihivi është goditur disa herë nga sulmet ruse që kur tanket e Moskës hynë në Ukrainë nga territori i Bjellorusisë fqinje në shkurt të vitit 2022.

“Fatkeqësisht, numri i viktimave mund të rritet. Kjo nuk do të ndodhte nëse Ukraina do të pranonte pajisje të mjaftueshme të mbrojtjes ajrore dhe nëse vendosmëria e botës për të luftuar terrorin rus do të ishte e mjaftueshme”, shkroi Zelensky në Telegram.

Rusia ka intensifikuar sulmet e saj ndaj Ukrainës, teksa trupat e Kievit po përballen me mungesë të municioneve dhe të sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Zyrtarët ukrainas i bëjnë thirrje vazhdimisht Uashingtonit dhe aleatëve të tjerë të rrisin furnizimet ushtarake për Ukrainën, duke thënë se sistemet e mbrojtjes ajrore janë kritike për mbrojtjen edhe të shteteve fqinje./REL