Vendosni fjalën kyçe....

Energjia, kapaciteti i instaluar në 2023 u rrit vetëm me 1 për qind


Në fund të vitit 2023, kapaciteti i instaluar për prodhimin e energjisë elektrike në vend ishte 2675 MW.

Ky kapacitet rezulton të jetë rritur me rreth 1% gjatë vitit 2023, çka do të thotë, se kjo është fuqia e centraleve të reja që kanë hyrë në funksion. Shifra e Entit duket se nuk merr parasysh impiantin e Karavastasë, i cili ka hyrë në operim në fund të vitit me kapacitet prej 140 MW.

Ky i fundit citon vetëm se “gjatë vitit 2023 është vënë në operim Impianti Fotovoltaik Karavasta 140 MWp, lidhur në anën 220 kV të Nënstacionit 220/110/35/20 kV” thuhet në dokument.

Rritja e kapacitetit të instaluar parashikohet të jetë më e shpejtë në vijim, edhe si efekt i finalizimit të projekteve që nisën gjatë krizës së energjisë por edhe disa ankandeve që po zbaton qeveria.

Në raportin e tij vjetor të vitit 2023, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) vlerëson se kapaciteti i instaluar i centraleve të lidhura në rrjetin e transmetimit gjatë vitit 2023 është rreth 2,288 MW, dhe kapaciteti i instaluar i centraleve të lidhura në rrjetin e shpërndarjes përgjatë vitit 2023 është rreth 382 MW.

“Prodhimi total neto vendas i energjisë elektrike i realizuar për vitin 2023 është 8,795,637 MWh, nga i cili 5,131,482 MWh u prodhua nga centralet në zotërim të kompanisë publike KESH sh.a., dhe 3,664,155 MWh u prodhua nga centralet e tjera. Prodhimi i energjisë elektrike i realizuar për vitin 2023, nga KESH sh.a. zë 58.3% të gjithë prodhimit të energjisë elektrike në vendin tonë dhe prodhimi i energjisë elektrike nga prodhuesit e tjerë zë rreth 41.7%” thuhet në raport.

Rritja e kapacitetit të instaluar të energjisë elektrike nga viti në vit duket se ka ndikuar edhe rritjen e përgjithshme të mesatares së prodhimit.

Konkretisht sipas ERE nga analiza e historikut të prodhimit të energjisë elektrike të regjistruar në vend, viti 2023 me sasinë e prodhuar prej 8,796 GWh, rezulton mbi mesataren e prodhimit të energjisë elektrike për periudhën 2009 – 2023.

“Mesatarja e prodhimit të energjisë elektrike për periudhën 2009 – 2023 ka rezultuar 6,770 GWh. Prodhimi i realizuar për vitin 2023 është rreth 2,026 GWh, ose 30% më i lartë se mesatarja e prodhimit te energjisë elektrike për periudhën 2009 – 2023” nënvizon raporti.

Viti 2023 konsiderohet si një vit i mirë hidrologjik nga pikëpamja e prodhimit të energjisë elektrike, i cili për këtë vit ka rezultuar në sasinë 8,796 GWh, pra 23 për qind më shumë më shumë se prodhimi mesatar i energjisë elektrike në periudhën 2009 – 2023./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor