Vendosni fjalën kyçe....

Gjirokastër, u kap duke transportuar 11 emigrantë në automjet, arrestohet 37-vjeçari


Një 37-vjeçar, banues në Fier, u kap nga policia teksa po transportonte 11 emigrantë nga Vendet e Treta në aksin ‘Këlcyrë- Ura e Leklit’. Për këtë veprimtari po përdoreshin dy automjete.

Në njërën ishte bashkëpunëtori i 37-vjeçarit, i cili dyshohet se mbikqyrte rrugën për shmangien e shërbimeve të policisë.

Policia kur i pikasi i bëri urdhër të ndalojnë, mirëpo në fshatin Mezhgoran ata kanë braktisur automjetet.

Efektivët u vunë në ndjekje dhe mundën të kapin vetëm Xh.C., 37 vjeç dhe së bashku me të u konstatuan edhe 11 emigrantët.

Njoftimi i Policisë

“Një person është arrestuar këtë të enjte në Gjirokastër, pasi u kap në flagrancë duke transportuar emigrantë të paligjshëm. Po ashtu është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij.

Uniformat blu bëjnë me dije se në pranga ka rënë shtetasi 37 vjeç, banues në Fier.

“Nga kontrollet, në automjetin që drejtonte 37-vjeçari, u konstatuan 11 shtetas nga Vendet e Treta, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufirin. Policia po punon për identifikimin dhe arrestimin e bashkëpunëtorit të shtetasit Xh. C., i cili dyshohet se mbikëqyrte rrugën ku kalonte automjeti, me qëllim shmangien e shërbimeve të Policisë.

Materialet procedurale kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.”, thuhet në njoftimin e policisë.