Kryeministri hungarez Viktor Orban bëri thirrje të mërkurën për një ndryshim të udhëheqjes në Bruksel, ndërsa kritikoi politikat e Bashkimit Evropian për emigracionin dhe Ukrainën.
“Kuptimi i këtyre zgjedhjeve evropiane është të ndryshojë drejtimin,” tha kreu hungarez gjatë një mbledhjeje të të djathtëve në Bruksel.
“Nëse udhëheqja është e keqe, ajo duhet të zëvendësohet. Është kaq e thjeshtë.”
Orban po përpiqet të anojë BE-në nga e djathta pas zgjedhjeve evropiane të qershorit, për të cilat sondazhet parashikojnë një rritje të krahut të djathtë. Një lëvizje djathtas mund të zhvendosë në mënyrë drastike politikat e BE-së për çështjet kyçe që nga klima deri te lufta në Ukrainë.
Vërejtjet e prera të kreu hungarez u zhvilluan në Konferencën Kombëtare të Konservatorizmit, një mbledhje dyditore e krerëve të krahut të djathtë që shkaktoi bujë në Bruksel kur një bashki lokale u përpoq të ndalonte një tubim të konservatorëve lidhur me shqetësimet e pretenduara të sigurisë.
Duke iu drejtuar një salle me qindra akademikë, zyrtarë dhe gazetarë, Orban e krahasoi ndërhyrjen e policisë në konferencë me “shtypjen”ndaj Hungarisë komuniste gjatë viteve 1980.
“Unë mendoj se liria në Evropë, dhe veçanërisht në Bruksel, është në rrezik, siç u tregua dje,” tha Orban, duke shkaktuar një duartrokitje nga turma.
“Pavarësisht nëse e quajmë komunizëm apo jo, ne po jetojmë në prag të shtypjes në Evropë.”
Orban, i cili nuk ia përton të sulmojë BE-në pavarësisht se është anëtar i unionit, kritikoi ashpër politikën e emigracionit të bllokut gjatë bisedës së tij me kryetarin e konferencës Yoram Hazony. Ai tha se të jetosh “në një shoqëri të krishterë është një gjë e mahnitshme. Pse duhet të heqim dorë?”