Vendosni fjalën kyçe....

Pastrimi i 31 milionë dollarëve, prokuroria e Ekuadorit po heton Dritan Gjikën me pesë persona të tjerë


Një gjykatës kundër korrupsionit vendosi të lidhë, më 18 prill 2024, pesë persona të tjerë me hetimin e një rasti të dyshuar të pastrimit të parave, për rreth 31 milionë dollarë.

Një prej të lidhurve është një shqiptar i njohur në Ekuador si Dritan Gjika. Së bashku me Gjikën, i përmendur si drejtues i mafies shqiptare që vepronte në Ekuador, janë të lidhur katër persona: Mario S.; Carina E.; Carlos G.; dhe Pablo H. Shtatë kompani apo persona juridikë janë gjithashtu në hetim, raportojnë mediat ekuadoriane.

Ndaj tyre gjyqtari ka urdhëruar masën parandaluese, sekuestrimin e pasurisë dhe mbajtjen e llogarive. Ai ka urdhëruar policinë që ta lokalizojë dhe ta kapë.

Gjithashtu, ai urdhëroi që Mbikëqyrësi i Kompanive të ndërhyjë në kompanitë e lidhura. Janë 10 të hetuar.

Më 7 shkurt, Policia Kombëtare, së bashku me Prokurorinë, arrestuan Julio L., Jonnathan L., Bryan L., Javier C. dhe Teresa P. si rezultat i operacionit Pampa, i cili u krye në disa qytete në Ekuador dhe gjithashtu në Spanjë. Sipas Prokurorisë, përmes informacioneve konfidenciale u mësua se në Guayas, ndodhej një kompani transporti e dedikuar për transferimin e parave dhe substancave të paligjshme përmes kamionëve. Për më tepër, se në Guayas, Los Ríos, Cotopaxi dhe Santa Elena, vepronte një organizatë kriminale e dedikuar për pastrimin e parave të trafikut të drogës, e drejtuar nga Dritan Gjika dhe qytetarë të tjerë.

Për këtë u krijuan disa kompani të dedikuara për eksportin e produkteve bujqësore (kryesisht banane), blerjen dhe shitjen e pasurive të paluajtshme, prodhimin e mishit dhe kanabisit.

Këta shtetas kanë përfituar pasuri të ndryshme si automjete të nivelit të lartë dhe pasuri të paluajtshme si toka, shtëpi, zyra, magazina dhe parkingje në katër provinca të vendit, sipas hetimit tatimor.