Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken tha sot se Kina në mënyrë indirekte po nxit konfliktin në Ukrainë duke furnizuar Rusinë me pjesë për industrinë e saj ushtarake.
Në ishullin italian të Caprit, pas takimit të krerëve të diplomacisë së G7, Blinken tha se Kina është “furnizuesi kryesor” i industrisë ushtarake ruse, gjë që “i mundëson Rusisë të vazhdojë agresionin e saj kundër Ukrainës”.
“Nëse Kina dëshiron marrëdhënie miqësore me Evropën … nuk mund të furnizojë palën tjetër që është kërcënimi më i madh për sigurinë evropiane që nga fundi i Luftës së Ftohtë,” tha Blinken.
Ministrat e Jashtëm të G7 (SHBA, Japonia, Kanadaja, Franca, Gjermania, Britania dhe Italia) shprehën “shqetësimin e tyre të thellë” për dërgimin e pajisjeve kineze në Rusi, e cila është një ndihmë për “makinerinë ruse të luftës në Ukrainë” – siç cilësohet në deklaratën përfundimtare të takimit.