Vendosni fjalën kyçe....

Dokumenti sekret/ Rusia veprime aktive për të dobësuar pozitat e SHBA-së në botë


Ministria e Jashtme e Rusisë ka hartuar plane për të synuar dobësimin e kundërshtarëve të saj perëndimorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara si dhe të përdorë luftën në Ukrainë për të krijuar një rend global të shkëputur nga ajo që ajo e sheh si dominim amerikan, sipas një dokumenti sekret të Ministrisë së Jashtme.

Në një shtesë të klasifikuar të “Konceptit të Politikës së Jashtme të Federatës Ruse” zyrtare dhe publike të Rusisë, ministria bën thirrje për një “fushatë informacioni fyese” dhe masa të tjera që përfshijnë “sferat psikologjike ushtarako-politike, ekonomike dhe tregtare dhe informative” kundër një “koalicioni të vendeve jomiqësore” të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

“Ne duhet të vijojmë të rregullojmë qasjen tonë ndaj marrëdhënieve me shtetet jomiqësore”, thuhet në dokumentin e vitit 2023, i cili iu dha Ëashington Post nga një shërbim inteligjent evropian.

“Është e rëndësishme të krijohet një mekanizëm për gjetjen e pikave të brishta e të prekshme të politikave të tyre të jashtme dhe të brendshme me synimin për të zhvilluar hapa praktikë për të dobësuar kundërshtarët e Rusisë”, vijon dokumenti.

Dokumenti për herë të parë siguron konfirmimin dhe kodifikimin zyrtar të asaj që shumë në elitën e Moskës thonë se është bërë një luftë hibride kundër Perëndimit.

Rusia po kërkon të përmbysë mbështetjen perëndimore për Ukrainën dhe të prishë politikën e brendshme të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane, përmes fushatave propagandistike që mbështesin politikat izolacioniste dhe ekstremiste, sipas dokumenteve të Kremlinit të raportuara më parë nga The Post. Ajo po kërkon gjithashtu të rimodelojë gjeopolitikën, duke iu afruar Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut në një përpjekje për të ndryshuar ekuilibrin e tanishëm të fuqisë.

Duke përdorur një gjuhë shumë më të ashpër dhe më të hapur se dokumenti publik i politikës së jashtme, shtesa sekrete, e datës 11 prill 2023, pretendon se Shtetet e Bashkuara po udhëheqin një koalicion të “vendeve jomiqësore” që synojnë dobësimin e Rusisë, sepse Moska është “një kërcënim për hegjemoninë e botës perëndimore”.

Dokumenti thotë se rezultati i luftës së Rusisë në Ukrainë do “përcaktojë në një masë të madhe skicat e rendit të ardhshëm botëror”, një tregues i qartë se Moska e sheh rezultatin e pushtimit të saj si të lidhur pazgjidhshmërisht me aftësinë e saj dhe të kombeve të tjera autoritare për të imponuar vullnetin në nivel global.

Koncepti i Politikës së Jashtme të Federatës Ruse, i cili u botua më 31 mars 2023 dhe u miratua nga Presidenti rus Vladimir Putin, përdor një gjuhë të butë diplomatike për të bërë thirrje për “demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare”, “barazinë sovrane” dhe forcimin e pozicionit të Rusisë në skenën globale.

Megjithëse Koncepti i Politikës së Jashtme akuzon gjithashtu se Shtetet e Bashkuara dhe “satelitët e saj” kanë përdorur konfliktin e Ukrainës për të përshkallëzuar “një politikë shumëvjeçare anti-ruse”, ai gjithashtu thekson se “Rusia nuk e konsideron veten armike të Perëndimit dhe nuk ka qëllime të këqija ndaj tij.”

Rusia shpreson që Perëndimi “do e kuptojë mungesën e ndonjë të ardhmeje në politikën e saj konfrontuese dhe ambiciet hegjemoniste dhe do pranojë të vërteta e ndërlikuara të botës shumëpolare”, thuhet në dokumentin publik.

Ministria e Jashtme ruse tha në një deklaratë se nuk komenton “ekzistencën ose mosekzistencën e dokumenteve të Ministrisë së Brendshme” dhe përparimin e punës në to.

“Siç e kemi thënë disa herë në nivele të ndryshme, mund të konfirmojmë se disponimi është për të luftuar me vendosmëri hapat agresivë të ndërmarrë nga Perëndimisi pjesë e luftës hibride të nisur kundër Rusisë”, shtoi ministria.

Vetoja e fundit e Rusisë kundër zgjatjes së mbikëqyrjes së OKB-së të sanksioneve kundër Koresë së Veriut lidhur me programin e saj të armëve bërthamore dhe raketave balistike, duke i dhënë fund efektivisht 14 viteve të bashkëpunimit, ishte “një shenjë e qartë” se puna e parashikuar në shtojcën e klasifikuar tashmë është duke u zhvilluar, tha një udhëheqës akademik rus me lidhje të ngushta me diplomatë të lartë rusë. Akademiku foli në kushte anonimiteti duke qenë se bëhet fjalë për diskutime të ndjeshme lidhur me Moskës.

“Rusia mund të krijojë vështirësi për SHBA-në në shumë rajone të ndryshme të botës”, tha akademiku. “Kjo përfshin Lindjen e Mesme, Azinë verilindore, kontinentin afrikan dhe madje edhe Amerikën Latine.”

Krijimi i Konceptit të Politikës së Jashtme dhe shtojca e klasifikuar pasoi një thirrje drejtuar akademikëve rusë për sugjerime politike. Një propozim i paraqitur në shkurt 2023 në Ministrinë e Jashtme nga nënkryetari i Institutit të Moskës për Komonuelthin e Shteteve të Pavarura, i cili mban lidhje të ngushta me aparatin e sigurisë së Rusisë, i parashtronte akoma më troç mundësitë e Rusisë.

Akademiku Vladimir Zharikhin, i bëri thirrje Rusisë që “të vijojë të lehtësojë ardhjen në pushtet të forcave izoluese të krahut të djathtë në Amerikë”, “të mundësojë destabilizimin e vendeve të Amerikës Latine dhe ngritjen në pushtet të forcave ekstremiste” si dhe të lehtësojë “rivendosjen e sovranitetit të vendeve evropiane duke mbështetur palët e pakënaqura me presionin ekonomik të SHBA-së”.

Pika të tjera në propozimin e politikës, i cili iu dha gjithashtu The Post, sugjeruan që Moska të ngjallte konflikt midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës mbi Tajvanin për të afruar Rusinë dhe Kinën, si dhe “për të përshkallëzuar gjendjen në Lindjen e Mesme rreth Izraelit, Iranit dhe Sirisë për të shpërqendruar SHBA-në me problemet e këtij rajoni.”

Zharikhin nuk pranoi të diskutonte propozimin e tij.

Zyrtarët perëndimorë kanë paralajmëruar se Rusia ka përshkallëzuar fushatat e propagandës dhe ndikimit të saj gjatë dy viteve të fundit, ndërsa kërkon të minojë mbështetjen për Ukrainën. Si pjesë e kësaj, ajo ka kërkuar të krijojë një ndarje të re globale, me përpjekjet e propagandës ruse kundër Perëndimit që rezonojnë në shumë vende në Lindjen e Mesme, Afrikë, Amerikën Latine dhe Azi.

“Unë mendoj se SHBA-të ishin të bindura se pjesa tjetër e botës – Veriu dhe Jugu – do mbështesin SHBA-në në konfliktin me Rusinë dhe doli që kjo nuk ishte e vërtetë”, tha Zharikhin për The Post në një intervistë të mëparshme.

“Kjo tregon se bota e vetme polare ka mbaruar dhe SHBA-të nuk duan të pajtohen me këtë gjë.”

Për Mikhail Khodorkovskyn – kritikun e vjetër të Putinit, i cili dikur ishte njeriu më i pasur i Rusisë, derisa një përplasje me Kremlinin çoi në dënimin e tij me 10 vjet burg – nuk është për t’u habitur që Rusia po kërkon të bëjë gjithçka që mundet për të minuar Shtetet e Bashkuara.

“Për Putinin, është absolutisht e natyrshme që ai të përpiqet të krijojë numrin më të madh të mundshëm të problemeve për SHBA-në”, tha ai.

“Detyra është të nxjerrim SHBA-në nga loja dhe më pas të shkatërrojmë NATO-n. Kjo nuk do të thotë shpërbërja e tij, por krijimi i ndjenjës tek njerëzit se NATO nuk po i mbron ata.”

Përplasja e gjatë e Kongresit për sigurimin e më shumë armëve për Ukrainën vetëm sa po e bën më të lehtë për Rusinë të sfidonte fuqinë globale të Uashingtonit, tha ai.

“Amerikanët konsiderojnë se përderisa nuk po marrin pjesë drejtpërdrejt në luftën në Ukrainë, atëherë çdo humbje nuk është humbje e tyre”, tha Khodorkovsky.

“Ky është një keqkuptim absolut.”

Një disfatë për Ukrainën, tha ai, “do të thotë se shumë do pushojnë së paturi frikë të sfidojnë SHBA-në”. dhe kostot për Shtetet e Bashkuara vetëm do rriten.

VINI RE: Ky material është pronësi inteleketuale e Washington Post

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani