Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar sot gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Agron Zhukri.
Sipas KPK-së, Zhukri nuk justifikonte pasurinë.
Emri i gjyqtarit u lakua pranverën e vitit 2022 në gjyqin për vulën e simbolet e PD-së, ku ai vendosi për t’ia dhënë ato ish-kryeministrit Berisha.
Zhukri nuk mori pjesë në seancën e sotme po u përfaqësua nga i biri, avokat.
Sipas anëtarëve të KPK-së Olsi Komici, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Xhensila Pinen Zhukri nuk justifikonte 93 milionë lekë pasuri.
Sipas relatimit, Zhukri nuk ka deklaruar ndonjë pasuri në posedim apo përdorim, ndërkohë që bashkëshortja e tij ka deklaruar disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme.
Ajo ka deklaruar një shtëpi në Tiranë të ndërtuar në vitin 1968 dhe të rikonstruktuar në ’96-ën për shumën 2.8 milionë lekë, me burim nga shitja e një trualli në masën 2.6 milionë lekë dhe të ardhurat. KPK konstaton se nuk janë vërtetuar të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga puna në Ambasadën Shqiptare në Romë dhe për rrjedhojë ka rezultuar pamundësi në shumën 2.4 milionë lekë për investimet e kryera në vitin 1996.
Bashkëshortja e subjektit ka deklaruar dhe ndërtimin e një shtese në vitet 2004-2006 me burim të ardhurat nga pagat, aktiviteti i saj privat, si dhe të ardhurat si ndërmjetëse për disa shoqëri që operojnë në fushën e sigurimeve.
Shuli tha se subjekti nuk ka deklaruar pjesën e tij takuese në pasuritë e krijuara gjatë martesës.
Gjyqtari Zhukri deklaroi se banesa në të cilën është kryer investime në vitin 1996 është trashëguar nga i ati dhe se në vitin 1996 ia ka dhuruar bashkëshortes. Ai theksoi se deri në 1995-ën nuk ishte bërë asnjë investim në këtë pronë dhe se në 96-ën është kryer gjithë volumi i punimeve të deklaruara.
Lidhur me vlerën e përfituar nga shitja e truallit e deklaruar si burim, subjekti shpjegoi se ajo pasuri ishte e vjehrrit dhe e kishte shitur për 1.6 milionë lekë, të cilat bashkë me 1 milion lekë të tjera të kursyera ua kishte dhuruar me rastin e lindjes së djalit. Ai shpjegoi se vjehrri kishte ndërruar jetë në vitin 1997 dhe se e kishin pasur të vështirë të siguronin dokumentacion.
Ndërkohë, Zhukri këmbënguli se kishin depozituar dokumentacion zyrtar të mjaftueshëm për të ardhurat nga puna në ambasadën në Romë. Sipas tij, KPK ka konsideruar shitje të truallit dhe jo dhurim nga vjehrri dhe nuk e ka konsideruar këtë vlerë në analizën financiare. “Është vërtetuar se vjehrri ka dhënë 2.6 milionë lekë”, theksoi Zhukri dhe kërkoi që kjo shumë të përfshihej në analizë.
Në vijim, u konstatuan gjetjet për një investim të kryer nga bashkëshortja në vitin 2003, kur ka blerë së bashku me një shoqëri një pasuri banesë + truall në masën 4.4 milionë lekë ku pjesa e saj takuese ka qenë 2.2 milionë lekë. Kjo pasuri është dhënë për t’u zhvilluar në këmbim të 30% të vlerës ndërtimore, ose nëse vlera e ambjenteve do t’i jepeshin do të ishte më pak se 240 mijë USD, atëherë do të kompesohej me vlerë monetare.
Administratori i shoqërisë ndërtuese ka denoncuar subjektin duke pretenduar se kontrata e nënshkruar ishte realizuar nga një ortak dhe jo prej tij. Po ashtu, administratori shoqërisë ka pretenduar se është shantazhuar nga subjekti duke vendosur në dispozicion edhe korrespodencën e kryer në disa emaile.
Shuli tha se dukej e paqartë se si kontrata ishte lidhur për investimin e një shumë të vogël prej rreth 2.2 milionë lekësh dhe përfitimin e një vlere rreth 26 milionë lekë, 13 herë më të madhe. Sipas KPK, duket se nuk është deklaruar investimi real që sipas Shulit duhet të ketë qenë në masën 70 mijë USD, vlerë për të cilën është konstatuar pamundësi financiare.
Subjekti deklaroi se kontrata ishte nënshkruar nga një prej ortakëve që përfaqësonte shoqërinë ndërtuese. Ai shtoi e kshte pasur konflikte mes administratorin dhe ortakun e asaj shoqërie, të cilët e kishin zgjidhur me pajtim.
Zhukri tha se bashkëshortja kishte pasur në vijim konflikte gjyqësore me denoncuesin, dhe këmbënguli se kjo situatë nuk mund të ishte pjesë e procesit të rivlerësimit të tij. Ai e cilësoi denoncimin si shfryrje të një mellfi dhe pretendoi se kishte qenë administratori i asaj shoqërie që e kishte intimiduar dhe jo e kundërta.
“Nuk kam bërë denoncim ndaj tyre. Ata kanë bërë ndaj meje, dhe kanë kryer veprime të jashtëligjshme. Këta njerëz tentojnë të më intimidojnë në mënyrën më të keqe të mundshme dhe provat e tij janë kundër tij”, tha Zhukri duke e cilësuar emailin absurd.
Lidhur me vlerën e pasurive të përfituara, Zhukri solli në vëmendje faktin se porositja ishte kryer në 2003-in duke investuar 2.2 milionë lekë, ndërkohë që pas 16 vitesh, kur kishte përfituar pasuritë, ato kishin një vlerë më të madhe për shkak të rritjes së çmimit të tyre.
“Veprimi juridik është brenda logjikës ekonomike, duke konsideruar kohën e kryerjes së veprimeve”, tha ndër të tjera Zhukri dhe këmbënguli se vlera e investimit ishte 2.2 milionë lekë, shumë që sipas tij duhet të përfshihet në analizën financiare.
Agron Zhukri e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës.
Emri i Zhukrit u lakua në pranverën e vitit 2022 për shkak të shqyrtimit të konfliktit të brendshëm të Partisë Demokratike për logon e partisë dhe vulën. Zhukri i dha të drejtë grupit të Rithemelimit, ndërsa vendimi u rrëzua më pas nga Gjykata e Apelit, duke u rikthyer çështjen për shqyrtim në shkallë të parë.