Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i Emergjencave Civile tregon planin e masave për parandalimin e zjarreve përgjatë verës


“Edhe vera e këtij viti parashikohet të jetë me temperatura tepër të larta për shkak të ndryshimeve klimatike ndaj Agjencia kombëtare e mbrojtjes civile është duke përgatitur një sërë masash paraprake.”

Kështu është shprehur nga Pishporo, kreu i Emergjencave Civile Haki Cako.

Në një deklaratë për mediat pas vizitës së zhvilluar paraditen e sotme në këtë zonë të djegur masivisht nga zjarret gjatë verës së kaluar Cako ka pohuar se përballë kësaj situate po merren të gjitha masat për menaxhimin sa më efikas të zjarreve teksa ka theksuar se tashmë është miratuar një fond prej 30 milionë euro nga qeveria italiane për modernizimin e shërbimit zjarrfikës si dhe po punohet intensivisht me pushtetet vendore.

Ndërkohë sipas Cakos së shpejti do të nisë edhe projekti i monitorimit i mbështetur nga qeveria japoneze.

Ndërkohë shefi i Shërbimit Zjarrfikës pranë bashkisë Fier, Zija Hyka, ka bërë me dije se për herë të parë këtë vit do të ngrihen dhe stacione provizore pranë zonave me risk të lartë.

Gjatë inspektimit në zonë kreu i emergjencave civile ka inspektuar dhe pjesën e dëmtuar të masivit pyjor të mbjellë tashmë me fidanë të rinj në kuadër të rigjenerimit të saj.