Vendosni fjalën kyçe....

OBSH-ja përkufizon përhapjen e sëmundjes “nëpërmjet ajrit”


Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe rreth 500 ekspertë kanë rënë dakord për herë të parë se çfarë do të thotë që një sëmundje të përhapet përmes ajrit, në një përpjekje për të shmangur ngatërresën që ndodhi në fillim të pandemisë COVID-19, që sipas disa shkencëtarëve kushton jetë.

Agjencia shëndetësore e OKB-së me bazë në Gjenevë publikoi të enjten një dokument teknik mbi këtë temë. Dokumenti tha se ishte hapi i parë drejt gjetjes se si të parandalohej më mirë ky lloj transmetimi, si për sëmundjet ekzistuese si fruthi, ashtu edhe për kërcënimet e ardhshme pandemike.

Dokumenti arrin në përfundimin se përshkruesi “nëpërmjet ajrit” mund të përdoret për sëmundjet infektive ku lloji kryesor i transmetimit përfshin patogjenin që udhëton nëpër ajër ose mbetet pezull në ajër, në përputhje me termat e tjerë si sëmundje “të shkaktuara nga uji”, të cilat kuptohen nga publiku.

Pothuajse 500 ekspertë dhanë ndihmnën e tyre në përkufizim, duke përfshirë fizikanë, profesionistë të shëndetit publik dhe inxhinierë, shumë prej të cilëve nuk pajtoheshin mbi këtë temë në të kaluarën.

Agjencitë kanë kërkuar historikisht nivele të larta të provës përpara se sëmundjet t’i quajnë sëmundje ajrore, gjë që kërkonte masa shumë të rrepta kontrolli; përkufizimi i ri thotë se rreziku i ekspozimit dhe ashpërsia e sëmundjes gjithashtu duhet të merren parasysh.

Mosmarrëveshjet e së kaluarës përqendroheshin gjithashtu nëse grimcat infektive ishin “pika” ose “aerosole” bazuar në madhësinë e grimcave, nga e cila përkufizimi i ri largohet.

Gjatë ditëve të para të COVID në 2020, rreth 200 shkencëtarë të aerosolit u ankuan publikisht se OBSH nuk kishte arritur t’i paralajmëronte njerëzit për rrezikun që virusi mund të përhapej përmes ajrit. Kjo çoi në një mbitheksim të masave si larja e duarve për të ndaluar virusin, në vend që të përqendroheshin te ajrimi, thanë ata.

Deri në korrik të vitit 2020, agjencia tha se kishte “prova” të përhapjes ajrore, por shkencëtari kryesor i saj i atëhershëm Soumya Sëaminathan – i cili filloi procesin për përkufizimin – tha më vonë që OBSH-ja duhet të kishte qenë më e fuqishme në kjëtë drejtim “shumë më herët”.

Pasardhësi i saj, Jeremy Farrar, tha në një intervistë se përkufizimi i ri kishte të bënte më shumë se COVID, por ai shtoi se në fillim të pandemisë kishte mungesë të provave në dispozicion dhe ekspertët përfshirë OBSH-në vepruan me “mirëbesim”. Në atë kohë, ai ishte kreu i shoqatës bamirëse ‘Wellcome Trust’ dhe këshilloi qeverinë britanike për pandeminë.

Farrar tha se përdorimi i përkufizimit të rënë dakord midis ekspertëve nga të gjitha disiplinat do lejonte që të fillonin diskutimet për çështje të tilla si ajrimi në shumë mjedise të ndryshme, nga spitalet te shkollat e qendrat e punës.

Ai e krahasoi atë me përfundimin se viruset e transmetuara nga gjaku si HIV ose Hepatiti B mund të përhapen nga mjekët që nuk mbajnë doreza gjatë procedurave.

“Kur fillova, studentët e mjekësisë, infermierët, mjekët, asnjëri prej nesh nuk mbante doreza për të marrë gjak”, tha ai për Reuters.

“Tani është e papërfytyrueshme që të mos vishni doreza. Por kjo erdhi sepse të gjithë ranë dakord se si qëndronte çështja, ata ranë dakord për terminologjinë… Ndryshimi në praktikë erdhi më vonë.”