Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja rivendos sanksionet ndaj Venezuelës: S’përmbushi kushtet për demokracinë


SHBA-ja ka rikthyer sanksionet ndaj industrisë energjetike të Venezuelës, mbi atë që Uashingtoni e përshkruan si dështim të Karakasit për t’iu përmbajtur parimeve demokratike. Lëvizja vjen ndërsa kombi përgatitet për zgjedhjet presidenciale.

Administrata e presidentit Joe Biden tha të mërkurën se nuk do rinovojë një licencë të rënë dakord në Barbados në tetor, në të cilën presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro dhe opozita e vendit ranë dakord të zhvillojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të mbikëqyrura nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Në këmbim të angazhimit zgjedhor, SHBA-ja hoqi përkohësisht disa nga sanksionet e saj ndaj naftës, gazit, arit dhe borxhit sovran të Venezuelës. Marrëveshja skadoi herët të enjten.

“Nicolas Maduro dhe përfaqësuesit e tij nuk kanë përmbushur plotësisht zotimet e marra në bazë të marrëveshjes së udhërrëfyesit zgjedhor”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Mattheë Miller.

“Prandaj, Licenca e Përgjithshme 44 që autorizonte transaksionet në lidhje me sektorin e naftës dhe gazit me Venezuelën do skadojë pas mesnate dhe nuk do rinovohet”, shtoi ai.

Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi të mërkurën se kishte lëshuar një licencë zëvendësimi duke u dhënë kompanive 45 ditë për të “përfunduar” biznesin dhe transaksionet e tyre në sektorin e naftës dhe gazit të shtetit anëtar të OPEC.

Uashingtoni ka kërcënuar vazhdimisht në muajt e fundit se do rivendosë sanksionet për energjinë nëse Maduro nuk i përmbush premtimet e tij.

Zyrtarë të lartë amerikanë thuhet se kanë thënë se Maduro ka respektuar disa zotime sipas marrëveshjes së vitit të kaluar, por ka dështuar të përmbushë të tjera, duke përfshirë lejimin e opozitës që të kandidojë kandidatin e zgjedhur kundër tij në zgjedhjet e 28 korrikut.

Zyrtarët venezuelianë kanë këmbëngulur se janë të gatshëm për çdo skenar dhe mund të përballojnë rinovimin e sanksioneve.

Sipas një raporti të fundit të Reuters, eksportet e naftës të Venezuelës në mars u rritën në nivelin e tyre më të lartë që nga fillimi i vitit 2020 pasi klientët nxituan të kryenin blerjet përpara skadimit të parashikuar të licencës.

Karakasi ka qenë nën sanksionet e SHBA për më shumë se 15 vjet. Raundi i fundit i kufizimeve u vendos pasi Uashingtoni kundërshtoi të njohë Nicolas Maduron si president të vendit pas zgjedhjeve të vitit 2018, dhe në vend të kësaj deklaroi kreun e Asamblesë Kombëtare, Juan Guaido, si “udhëheqësin e përkohshëm” të vendit.

Në vitin 2019, Guaido bëri thirrje për një kryengritje popullore kundër Maduros, e cila përfundimisht dështoi. Më pas ai u zhvendos për të jetuar në Miami nën mbrojtjen e SHBA-së.

Ndërkohë, të gjitha asetet e qeverisë venezueliane u ngrinë në SHBA dhe çdo marrëveshje me qytetarët dhe kompanitë amerikane u ndalua.