Vendosni fjalën kyçe....

Vendi afrikan dëbon diplomatët francezë


Qeveria ushtarake e Burkina Faso ka shpallur persona non grata tre diplomatë francezë, duke u dhënë atyre 48 orë kohë për t’u larguar nga vendi i Afrikës Perëndimore. Incidenti është më i fundit në një seri problemesh që ka pasur Parisi vitet e fundit me disa vende afrikane.

Në një letër të së martës drejtuar ambasadës franceze në Ouagadougou, Ministria e Jashtme e Burkina Fasos akuzoi zyrtarët për kryerjen e akteve “subversive”, pa dhënë asnjë hollësi.

Ministria emëroi Gëenaielle Habouzit dhe dy këshilltarë politikë, Guillaume Reisacher dhe Herve Fournier, si zyrtarët që duhet të largohen nga vendi.

Marrëdhëniet mes Parisit dhe Ouagadougout janë përkeqësuar dukshëm që kur ushtria e Burkina Fasos mori pushtetin me një Grusht Shteti në vitin 2022. Në mars të vitit të kaluar, qeveria përfundoi një marrëveshje ndihme ushtarake të vitit 1961 me Francën që kishte qenë në fuqi që kur Parisi i dha pavarësinë vendit.

Që atëherë, ajo ka urdhëruar tërheqjen e ambasadorit dhe trupave franceze, si dhe pezullimin e disa agjencive franceze të lajmeve, duke përfshirë transmetimet nga kanali televiziv France 24 dhe Burkina-Radio France International. Autoritetet ushtarake akuzuan rrjetet për raportime të rreme dhe ofrimin e një platforme për grupet xhihadiste.

Shtatorin e kaluar, atasheu francez i mbrojtjes Emmanuel Pasquier dhe ekipi i tij u dëbuan gjithashtu nga Burkina Faso për “aktivitete subversive”. Sipas AFP-së, një zëdhënës i paidentifikuar i Ministrisë së Jashtme së Francës në atë kohë hodhi poshtë akuzat si “të çuditshme”.

Burkina Faso iu bashkua Malit në forcimin e lidhjeve me Rusinë pasi të dy vendet dëbuan forcat franceze, duke akuzuar ish-fuqinë koloniale për ndërhyrje dhe dështim në shuarjen e dhunës ekstremiste gjatë misionit të saj ushtarak dhjetëvjeçar.