Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç shkarkon kreun e Preshevës për flamurin shqiptar, Arifi: U ndihmua nga shqipfolësit serbofilë


Kreu i Komunës së Preshevës Shqiprim Arifi ka deklaruar se është shkarkuar nga detyra nga presidenti i Serbisë Vuçiç.

Ai e ka njoftuar shkarkimin përmes një njoftimi ku thekson se shkarkimi i tij është bëtë në shkelje të procedurave ligjore dhe pa asnjë njoftim zyrtar.

Po kështu Arifi nënvizon se shkarkimi është bërë njësoj si nga regjimi i Millosheviçit teksa e cilëson qeverinë serbe regjim antishqiptar.

“Dje në mesnatë, pushteti autoritar në Beograd, në mënyrë arbitrare dhe pa ndjekur asnjë procedurë ligjore, si dhe pa asnjë njoftim zyrtar, regjimi serb dhe antishqiptar, duke vazhduar traditën e Millosheviqit të viteve ’90, më pushoi me dhunë nga posti i Kryetari i Komunës së Preshevës. Në të njëjtën kohë, ky regjim dhunshëm antishqiptar vendosi një organ të përkohshëm deri në zgjedhjet e ardhshme. Vuçiç ka kohë që kërcënon publikisht shqiptarët e Luginës së Preshevës. Shkarkimi im i dhunshëm, në mesnatën e mbrëmshme, pa asnjë procedurë ligjore dhe pa njoftim, vjen menjëherë pas kërcënimit të fundit publik të Vuçiqit këtë javë dhe 24 orë pasi u dënova nga Gjykata Serbe për vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar më 28 nëntor. Me këto veprime raciste antishqiptare që janë trashëgimi e politikave të regjimit të Millosheviqit, Serbia e sotme e Vuçiçit dëshmon tash e 3 dekada e më shumë se shqiptarët nuk i konsideron si qenie njerëzore dhe as qytetarë të barabartë në Serbi. Diskriminimi ndaj shqiptarëve është një agjendë e vazhdueshme e politikave të Vuçiqit dhe Serbisë së tij proruse.” – shkruan Arifi.

Ai shton më tej se Serbia mbetet shtet autokratik ndërsa akuzon për shkarkimin e tij edhe ata që i quan shqipfolës serbofilë mes të cilëve edhe deputeti Shaip Kamberi e tjerë su Ragmi Mustafa, Ardita Sinani e Argjend Sherifi.

“Pra, në boshtin shoqëror të Serbisë dhe në edukimin filozofik dhe politik të Serbisë, ky shtet në thelb mbetet një regjim autokratik, i cili përdor nacionalizmin ekstrem serb kundër të gjithëve, veçanërisht ndaj shqiptarëve dhe veçanërisht ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Nuk do të mund ta bëja SHKARKIMIN tim të dhunshëm pa ndihmën e pakursyer të shqipfolësve serbofilë si: Ragmi Mustafa, Shaip Kamberi, Ardita Sinani dhe Argjend Sherifi si dhe disa kompani vendase mafioze që bashkëpunojnë me qarqet e errëta në Serbi. Kjo klasë politike, bashkëpunëtore besnike të regjimit serb për dekada, janë bërë mjet i lehtë për Vuçiqin dhe Serbinë për të realizuar agjendën e tij antishqiptare në Luginën e Preshevës.” – shton Arifi.

Në fund ish-kreu i Komunës së Preshevës shkruan se ka njoftuar se ka njoftuar SHBA-në dhe BE-në ndërsa shton se i ka dhënë fund politikës aktive në Luginën e Preshevës.

Prandaj, në krye të organizatës së dhunshme që u instalua në mesnatën e djeshme nga Vuçiç, është Ragmi Mustafa, i cili para 1 dekade i dha Vuçiçit “ZAHVALLNICA – Mirënjohje” menjëherë pasi Vuçiçi hoqi lapidarin me emrat e dëshmorëve të UÇPMB-së. Për shkarkimin tim të dhunshëm dhe për të gjithë aktorët e lartpërmendur, të cilët vazhdimisht po e ndihmojnë Serbinë për të dëmtuar shqiptarët, kam informuar partnerët tanë ndërkombëtarë SHBA dhe BE. Me këtë SHKARKIM të dhunshëm nga regjimi serb i kam dhënë fund politikës aktive në Luginën e Preshevës, por në anën tjetër më ka motivuar edhe një herë që lufta kundër padrejtësisë, diskriminimit, pasivizimit dhe lufta për të drejtat elementare dhe avokimin e te drejtave te popullit moj, per shqiptaret autoktone te ketyre trojeve, ngrite ne nje nivel me te larte!” – mbyll njoftimin Arifi.