Vendosni fjalën kyçe....

Dorian Teliti: Kryesia e Këshillit Bashkiak mblidhet të hënën, do të diskutohen kërkesat e opozitës


Nënkryetari nga radhët e opozitës i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti në një dalje për mediat ka lëshuar akuza në drejtim të kryebashkiakut Erion Veliaj ndërsa ka dhënë dhe një lajm.

Teliti tha se të hënën do të mblidhet Këshilli Bashkiak për të diskutuar për kërkesat e këshilltarëve të opozitës.

DEKLARATA E NËNKRYETARIT TË KËSHILLIT BASHKIAK TË TIRANËS, DORIAN TELITI:
Të dashur qytetarë!
Së pari, një falënderim për të gjithë, për mbështetjen që i keni dhënë Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe opozitës shqiptare këto tri javë, në betejën e përbashkët për transparencë, për të zbardhur të vërtetën dhe vendosjes para drejtësisë të çdokujt që ka abuzuar dhe vjedhur paratë e taksapaguesve të Tiranës dhe Shqipërisë.

Kur bota demokratike ecën përpara në respektimin e të drejtave të njeriut dhe iniciativës së lirë e të ndershme, këtu në Shqipëri shkelja e ligjit, abuzimi i tij dhe përdorimi i strukturave shtetërore për interesa politike dhe personale është kthyer në normë.

Abuzimi dhe vjedhja e fondeve nga grupi i strukturuar i krimit financiar 5D dhe shefi i tyre politik Erion Veliaj, kanë shënuar rekord Guiness, duke e ngritur korrupsionin në nivelet 100%.
Më në fund, mazhoranca në Këshillin Bashkiak, ka njoftuar se ditën e hënë në orën 17:00, do të mblidhet Kryesia e Këshillit Bashkiak për të diskutuar dhe marrë vendim mbi kërkesat e dorëzuara nga këshilltarët e opozitës për mbledhje të jashtëzakonshme të vetë Këshillit Bashkiak.

Megjithëkëtë, shkelja e hapur e ligjit dhe rregullores së brendshme të funksionimit të Këshillit Bashkiak vijon. Në nenin 36 Rregullorja detyron Këshillin Bashkiak të ngrejë Komisionin e Brendshëm Financiar, komision i cili funksionon për gjithë periudhën 4-vjeçare, dhe ka në përbërje përfaqësues të mazhorancës dhe të opozitës.

Mbi të gjitha ky komision ka për detyrë funksionale kontrollin mbi të ardhurat dhe shpenzimet e kryera nga organi ekzekutiv, pra nga bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj, në përputhje me buxhetet e miratuara vjetore.
Që prej korrikut 2023, praktikisht çdo muaj, në mbledhjet e Këshillit Bashkiak, në cilësinë e NënKryetarit të Këshillit dhe automatikisht edhe anëtar i Kryesisë së këtij Këshilli, kam kërkuar zyrtarisht ngritjen e këtij komisioni, por jam përballuar me heshtjen dhe mohimin e kësaj kërkese ligjore.

Kanë kaluar 10 muaj nga konstituimi i Këshillit Bashkiak, por mazhoranca bën sikur nuk e sheh dhe nuk e njeh rregulloren.

Edhe gjatë kësaj jave i jam drejtuar dy herë zyrtarisht Kryesisë së Këshillit Bashkiak, që të fusin në rend të ditës se mbledhjes së Kryesisë të hënën, edhe një pikë shtesë, ngritjen e këtij komisioni, sidomos në kuadër të publikimeve mbi gllabërimet e dhjetëra milionë euro nga funksionarët e lartë të Bashkisë.
Nuk ka asnjë arsye për të mos e ngritur këtë komision, i cili, e përsëris, është një detyrim i rregullores së brendshme të funksionimit të Këshillit Bashkiak.
Nëse mazhoranca e majtë në Këshill do të vazhdojë të refuzojë zbatimin e ligjit dhe rregullores duke mos e ngritur këtë komision, kjo vetëm një gjë do të të thotë: fshehje të së vërtetës, të abuzimeve, të vjedhjeve.