Vendosni fjalën kyçe....

Personat kyç në gjyqin penal ndaj ish-presidentit Donald Trump


Të hënën gjyqi penal ndaj ish-Presidentit Donald Trump do të nisë me mbatjen e deklaratave hapëse nga palët, pasuar nga fillimi i dëshmive. Javën e kaluar përfundoi procesi i përzgjedhjes së jurisë prej 12 anëtarësh, shtatë burra dhe pesë gra, si dhe 6 personave rezervë për çdo të papritur.

Ish-presidenti akuzohet se ka falsifikuar të dhënat e kompanisë së tij, për të fshehur arsyet e vërteta sipas prokurorisë, të rimbursimit të ish-avokatit të tij Michael Cohen. Ky i fundit dyshohet se ka paguar aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels, për të siguruar heshtjen e saj lidhur me një marrëdhënie që ajo thotë se ka patur me zotin Trump, marrëdhënie që nëse bëhe publike mund t’i dëmtonte zotit Trump fushatën elektorale të vitit 2016. Ish-presidenti e ka mohuar të ketë patur një marrëdhënie me zonjën Daniels.

Mes dështmitarëve që do të sillen në gjyq do të jetë zonja Daniels, ish-botuesi i tabloid ‘National Enquirer’ David Pecker si dhe ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen. Ky i fundit është dënuar më parë me burng, lidhur me rolin e tij në pagesën e bërë për siguruar heshtjen e ish-aktores Daniels, e për shkelje të tjera përfshirë, atë se ka gënjuar Kongresit.

 

Kush është në gjyqin e parë historik penal ndaj një ish-presidenti amerikan?

 

I PANDEHURI

DONALD TRUMP – Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe kandidati i republikanëve. Biznesmeni i njohur fitoi zgjedhjet presidenciale në 2016, duke u bërë presidenti i 45-të i SHBA-ve. Ai akuzohet se ka falsifikuar të dhënat e kompanisë së tij, për të fshehur natyrën e vërtetë të pagesave ndaj zotit Cohen, i cili ndihmoi në fshehjen historive negative rreth tij gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016. Vetë zoti Trump është deklaruar i pafajshëm.

 

DËSHMITARËT

MICHAEL COHEN

MICHAEL COHEN – Ish-avokati i zotit Trump, dikur një aleat e fortë të tij, tashmë dëshmitari kryesor i prokurorisë kundër ish-shefit të tij. Zoti Cohen punoi për Organizatën Trump nga viti 2006 deri në vitin 2017. Më vonë ai u dënua me burg lidhur me akuza federale, pasi u deklarua fajtor për shkelje të ligjit për financimim e fushatës lidhur me paratë paguar aktores së filmave për të rritur zonjës Daniels si dhe shkelje të tjera, që nuk lidhen me këtë çështje.

 

STORMY DANIELS

STORMY DANIELS – Ish-aktore filmash, pornografikë e cila mori një pagesë prej 130 mijë dollarësh nga zoti Cohen si pjesë e përpjekjeve të dyshuara që ajo të mbante të fshehtë marrëdhënien e saj me zotin Trump. Ish-Presidenti Trump mohon të ketë pasur marrëdhënie jashtëmartesore me zonjën Daniels.

KAREN MCDOUGAL

KAREN MCDOUGAL – Ish-modele e revistës ‘Playboy’, e cila gjithashtu pretendon të ketë patur një lidhje 10-mujore me zotin Trump në mesin e viteve 2000. Ajo u pagua 150 mijë dollarë në vitin 2016 nga kompania mëmë e tabloidit ‘National Enquirer’, për të drejtat e historisë së saj, në lidhje me marrëdhënien e dyshuar me zotin Trump. Vetë zoti Trump e ka mohuar të ketë pasur marrëdhënie seksuale me zonjën McDougal.

DAVID PECKER

DAVID PECKER – Ish-botues i tabloidit ‘National Enquirer’ dhe një mik i vjetër i zotit Trump. Prokurorët thonë se në gusht të 2015-s ai u takua me zotin Trump dhe zotin Cohen në kullën Trump dhe ra dakord të ndihmonte fushatën e tij për president, falë përpjekjesh që histori negative ndaj tij, të mos publikoheshin.

HOPE HICKS – Ish-drejtore e komunikimit në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës Trump. Prokurorët thonë se ajo kishte zhvilluar një bisedë telefonike me zotin Trump ndërsa bëheshin përpjekjeje për të mbajtur larg shtypit akuzat marrëdhëniet e dyshuara jashtëmartesore të zotit Trump, si dhe pas zbulimit të një regjistrimi video të emisionit “Access Hollyëood” disa javë përpara zgjedhjeve të 2016-ës. Në kasetën e vitit 2005, dëgjohej zoti Trump duke bërë komente denigruese për gratë.

 

PROKURORËT

ALVIN BRAGG – Një ish-avokat i të drejtave civile dhe profesor i së drejtës, zoti Bragg një demokrat, është në mandatin e tij të parë si prokuror i qarkut të Manhatan-it. Ai e trashëgoi hetimin ndaj zotit Trump kur mori detyrën në vitin 2021. Zoti Bragg mbikëqyri ndjekjen penale të kompanisë së zotit Trump për një tjetër mashtrim me taksat, përpara se të ndërmerrte hapin për të paditur zotit Trump, për këtë çështje, vitin e kaluar.

MATTHEË COLANGELO – Ish-zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë, i cili u punësua nga zoti Bragg në vitin 2022 për të udhëhequr hetimin ndaj zotit Trump. Ata kanë punuar së bashku më parë në çështje të lidhura me zotin Trump në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Nju Jorkut.

JOSHUA STEINGLASS – Prokuror i Manhatanit për më shumë se 25 vjet, i cili ka punuar për disa nga çështjet e profilit të lartë, përfshirë dënimin e organizatës Trump për mashtrim me taksat në vitin 2022 si dhe çështje që kanë patur të bëjnë me krime të dhunshme.

SUSAN HOFFINGER – Shefe e Divizionit të Hetimit të Prokurorisë së Qarkut, ajo u rikthye sërisht në një detyrë zyrtare në vitin 2022 pas më shumë se 20 vitesh në praktikë private me motrën e saj, Fran. Ajo ka punuar me zotin Steinglass në ndjekjen penale për mashtrim me taksat të Organizatës Trump.

 

AVOKATËT E ZOTIT TRUMP

TODD BLANCHE – Një ish-prokuror federal, zoti Blanche ka qenë avokat më parë i ish-kryetarit të fushatës së zotit Trump, Paul Manafort, lidhur me një krim financiar, duke e rrëzuar çështjen ndaj tij. Zoti Blanche argumentoi me sukses se çështja, e ngritur nga e njëjta zyrë e prokurorisë në Nju Jork, që tashmë ka paditur zotit Trump, ishte shumë e ngjashme me atë që e çoi zotin Manafort në një burg federal e për këtë arsye klienti i tij rrezikonte të dënohej dy herë për të njëjtin krim.

SUSAN NECHELES – Një ish-prokurore e Bruklinit, zonja Necheles është një avokate e njohur e qytetit të Nju Jorkut, që ka përfaqësuar kompaninë e zotit Trump në gjyqin për mashtrim me taksat vitin e kaluar.

EMIL BOVE – Një ish-sportist, zoti Bove ka qenë një prokuror federal në Distriktin Jugor të Nju Jorkut. Ai ka qenë i përfshirë në shumë ndjekje penale të profilit të lartë, përfshirë një çështje trafikimi droge kundër vëllait të ish-presidentit të Hondurasit, një person që u dërgoi me dhjetra mjete shpërthyese me postë persona të njohur në SHBA.

 

GJYKATËSI i ÇËSHTJES

JUAN M. MERCHAN – Është gjykatësi që kryeson çështjen. Ai ishte gjithashtu gjykatës në gjyqin kundër Organizatës Trump në vitin 2022 për mashtrim me taksat si dhe po mbikëqyr një tjetër rast për mashtrim, lidhur me murit kufitar, kundër aleatit të vjetër të zotit Trump, Steve Bannon. Zoti Merchan i ka hedhur poshtë dy herë kërkesat e avokatëve të zotit Trump që ai të tërhiqet nga çështja. Ata e akuzojnë atë për njëanshmëri pasi vajza e tij sipas avokatëve, drejton një firmë konsulence politike që ka punuar për demokratët, përfshirë presidentin Joe Biden. Zoti Merchan ka thënë se është i sigurt se do të jetë në gjendje të jetë “i drejtë dhe i paanshëm”, në gjykimin e tij.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e VOA