Nga Indrit Vokshi
Dje Kongresi Amerikan votoi ndihmën për Ukrainën, ndihmën për Izraelin, ndihmën për Tajvanin dhe sanksione për Iranin dhe Rusinë. Në kuadër të sanksioneve për Rusinë u votua ngrirja e aseteve ruse në ShBA.
Në Tiranë, njëri ndër reporterët e KiE, homolog me Etilda Gjonajn e PS e cila është gjithashtu reportere e nderuar e KiE për barazinë gjinore, përgëzoi votimin e Kongresit Amerikan, madje përgëzimi u shoqërua me dy foto me dy kongresmenë. Njërin kongresmen e ka gënjyer edhe në takim privat duke i thënë se në Shqipëri, atë pra, Bashën, e quajnë Zelenski i Shqipërisë, mirëpo kjo është temë më vete.
Statusi në Facebook i reporterit është brilant për nga nivelet komike që ka arritur. Ai shkruan:
“Lajm i shumëpritur nga Washingtoni: Kongresi Amerikan sapo votoi projektligjin për konfiskimin e aseteve të ngrira të Federatës Ruse dhe vendosjen e tyre në dispozicion të Ukrainës. Përgëzime dhe mirënjohje ligjvënësve amerikanë, në veçanti nismëtarëve të këtij projektligji, Congressman French Hill dhe kryetarin e Komitetit për Punët e Jashtme Michael McCaul. Nder dhe privilegj që kam patur ndihmën dhe mbështetjen e tyre e të miqve të tjerë amerikanë në këtë proces jetik për Ukrainën edhe në Këshillin e Europës”.
Dmth Basha, na e paraqet sikur ai si reporter e ka çuar propozimin e tij në Kongres dhe thjesht ka qenë duke pritur lajmin sa të miratohet ai propozim. Dhe lajmi i shumëpritur ka ardhur.
Për ta vazhduar komedinë, reporteri përgëzon Kongresin Amerikan dhe iu shpreh mirënjohjen e tij. Dmth ky iu është mirënjohës atyre për veprimin që ata kanë bërë. Edhe i përgëzon edhe u është mirënjohës, pra shijojeni talentin në komedi.
Për ta përmbyllur komedinë, reporteri na thotë se ky si reporter, ka pasur ndihmën e kongresmenëve amerikanë në këtë proces jetik për Ukrainën, pasi nga mënyra si e paraqet ngjarjen, i bie se ky reporter ka qenë kryesor në ketë proces, Kongresi Amerikan vetëm sa i ka ofruar ndihmë.
Por si qëndron e vërteta? Se kur gënjeshtra dhe manipulimi përsëriten shpesh, edhe e vërteta duhet thënë shpesh.
Amerikanët e iniciuan vetë politikën e sekuestrimit të aseteve ruse. Deklarata e Rekjavikut e KiE e 17 majit 2023, shpalli ngrirjen e aseteve ruse dhe krijimin e Regjistrit të Dëmeve me seli në Hagë. Në samitin e Rekjavikut është zyrtarisht pjesëmarrëse përfaqësuesja e ShBA-së, Linda Thomas-Greenfield. Pra politika e sanksioneve është iniciuar nga vetë ShBA-ja, nën mbikqyrjen e ShBA-së, pastaj është konkretizuar nga Kongresi i ShBA-së. Nisëm ekskluzive e vetë ShBA-së.
Atëherë nëse sekuestrimi i aseteve ruse ka qenë iniciativë e ShBA-së dhe është vendim sovran i Kongresit Amerikant, pse duhet një deputet shqiptar në KiE të përgëzojë Kongresin e ShBA-së? Çfarë roli ka reporteri në fjalë në propozimin apo zbatimin e kësaj politike?
Kongresi Amerikan nuk adopton politika të Këshillit të Europës, rezoluta jo e jo. Përkundrazi, Kongresi e Presidenti i imponojnë politika Këshillit të Europës dhe vetë Bashkikmit Europian.
Në Deklaratën e Rekjavikut për sekuestrimin e aseteve ruse “kanë firmosur” krerët e qeverive dhe shteteve të Këshillit të Europës. Pra kjo çështje “ka kry si çështje”, në 17 maj 2023, është pranuar si politikë nga drejtuesit e qeverive dhe shteteve, para se të propozohet rezoluta e reporterit.
Atëherë cili është roli i një reporteri në këtë proces?
Ngjarja ka rrjedhur kështu: Pasi u miratua Deklarata e Rekjavikut e cila shpalli politikën kundër aseteve ruse, një deputet shqiptar në KiE, Lulzim Basha, paraqiti një rezolutë të kopjuar pikë për pikë nga Deklarata e Rekjavikut. Basha e pa këtë si mundësi për të marrë pak protagonizëm, si mundësi për t’u shitur në Shqipëri si “njeri i Perëndimit”, kjo me qëllim për të kuruar sadopak traumën që i ka shkaktuar izolimi, pasi as ambasadori amerikan në Tiranë nuk e ka takuar.
Fakti që rezoluta u votua njëzëri në Asamblenë e KiE, tregon se s’ka pasur as betejë, as kundërshtim, asgjë, sepse KiE tashmë e kishte shpallur një vit më përpara atë politikë dhe përfaqësuesit nga çdo vendi të KiE, kanë qenë dakord.
Rezoluta s’ka pasur asnjë rol thelbësor në përcaktimin e politikës apo në ngarkimin me detyrim politik të shteteve të KiE, sepse ajo politikë, siç thamë, ka qenë miratuar një vit më herët në Rekjavik.
Rezoluta ka qenë show dhe KiE ia ka lejuar një show reporterit, pasi s’ka pasur arsye për t’i thënë jo, përderisa rezoluta ishte kopjim i tekstit të Rekjavikut dhe, show është i rëndësishëm në këtë kohë. Kaq është e gjitha.
E gjithë propaganda dhe Pi-Ar-i që bëhet për përdorim të brendshëm në Shqipëri, ka si qëllim të gënjejë njerëzit, demokratët, opozitarët, duke na e paraqitur sikur reporteri Basha ka rol kyç në rindërtimin e Ukrainës.
Aq rol kyç në Ukrainë ka reporteri Basha, saqë kur Zelenski vizitoi Shqipërinë as nuk e takoi, as nuk e pa. Si ka mundësi që presidenti i Ukrainës, vjen në Tiranë dhe nuk takon reporterin për Ukrainën? Si nuk e takon ketë politikan me rol kaq kyç në ketë luftë? Sepse Zelenski e di që politika anti Rusisë është iniciuar nga ShBA dhe si rrjedhojë çdokush i cili bën show mbi atë politikë, s’ka ndonjë vlerë të posaçme e sia vlen as të takohesh me të.
Votimi i djeshëm i Kongresit Amerikan është sovran, pa lidhje me KiE në kuptimin që të adoptojë Amerika politikat e KiE, pa lidhje me ndonjë rezolutë. ShBA të paktën prej dy dekadash ka politikë të vetën të konsoliduar të sanksioneve, politikë të cilën dje e riaplikoi psh edhe kundër Iranit për të cilin s’ka rezolutë nga reporteri në fjalë.
Duke menduar ketë, duhet të lutemi, ishalla reporterit nuk i shkon mendja të mbledhë disa hoxhallarë dhe të propozojë ndonjë rezolutë-fetva kundër regjimit shiia të Iranit dhe, pastaj të kemi edhe 6 muaj spin dhe Pi-Ar ku të na thuhet se Perendimi pranoi sanksionet e Bashës kundër Iranit.
I gjithi ky shpjegim u shkruajt që njerëzit, veçanërisht ai 5% i opozitarëve që ende pranojnë Bashën duke e menduar gabimisht si “politikan që e ka përzgjedhur Amerika”, të mos mbahen më peng të manipulimeve sikur do zbarkojë Amerika e do i sjellë në pushtet. Me dashamirësi e them se kjo s’ka për të ndodhur. Prandaj opozitarët duhet të organizohen për të konkururar në Shqipëri e për ta delegjitimuar sa më thellë qeverisjen e Edi Ramës.