Ulja e ndjeshme e temperaturave ka sjellë reshje dëbore në zonat malore të verilindjes. Bora ka rënë deri në lartësinë 900 metra mbi nivelin e detit duke përfshirë thuajse gjithë bashkine e Dibrës.
Më të dukshme reshjet kanë qenë në anën lindore ku në fshatrat që kufizohen me Maqedoninë e Veriut sasia e dëborës ka qenë shumë më e madhe.
Megjithëse nuk ka probleme në bllokimin e rrugëve, banorët e fshatrave ku ka rënë dëbora i druhen dëmeve në bujqësi, sidomos në frutikulturë.
E teksa veriu i vendit po përballet me reshje të dendura bore dhe temperatura të ulëta, Vlora është përmbytur.
Mësohet se për shkak të reshjeve, ka pasur probleme në disa akse kryesore.
Qarkullimi i automjeteve është bllokuar nga prania e ujit në lagjen “Rilindja”, apo siç njihet në Vlorë rruga pranë Albano dhe Romina.