Vendosni fjalën kyçe....

BE-ja i vë zyrtarisht kusht Serbisë: Nëse doni të integroheni, normalizoni raportet me Kosovën


Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian (BE) e ka miratuar sot vendimin përfundimtar për të ndryshuar kornizën negociuese për anëtarësim me Serbinë, duke e kushtëzuar pranimin e saj me normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin e vet, Kosovën.

Ky ndryshim ka të bëjë me kapitullin 35 të kornizës negociuese, në të cilin zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën tani bëhet edhe kusht formal për Serbinë në procesin e negociatave të anëtarësimit në bllok.

Në tekstin e ri të kornizës negociuese si kusht është vendosur kjo fjali: “Serbia zbaton plotësisht obligimet që dalin nga Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Aneksit të zbatimit të saj, siç ishin pajtuar më 18 mars të vitit 2023”.

Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), të cilat edhe kishin propozuar këto ndryshime, e kanë mirëpritur vendimin e Këshillit të Ministrave për ta miratuar ato, sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano.

“Të dyja palët kishin pranuar obligimet e tyre përkatëse, se Marrëveshja për normalizimin [e marrëdhënieve] do të bëhej pjesë përbërëse e rrugëtimit të tyre të integrimeve evropiane. Zbatimi i Aneksit të arritur në mars të vitit 2023 reflekton këtë obligim të të dyja palëve”, tha Stano.

Stano konfirmoi se edhe për Kosovën do të bëhet formal një detyrim i tillë përmes një grupi “special për normalizim”.

“Agjenda e takimit të ardhshëm të grupit special për normalizim për Kosovën do të përditësohet po ashtu. Ne presim që të dyja palët ta zbatojnë Marrëveshjen dhe të gjitha obligimet tjera që kanë mbetur nga dialogu, sepse kjo është kyçe për rrugëtimin e tyre përkatës evropian”, shtoi ai.

Pajtimin për këto ndryshime e kishin arritur ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së javën e kaluar.

Ky ndryshim ishte kërkuar për të përfshirë edhe obligimin për zbatimin e marrëveshjes nga dialogu i Serbisë me Kosovën si kusht në kuadër të kapitullit 35 të negociatave të anëtarësimit qysh kur ishte arritur marrëveshja para një viti.

Përparimi në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën edhe më herët kishte qenë pjesë e kushtëzimeve në negociatat e anëtarësimit të Beogradit në BE, por tani në mënyrë specifike përmendet kushti i zbatimit të marrëveshjes të arritur vitin e kaluar.

Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

BE-ja insiston se marrëveshja dhe aneksi, pavarësisht se nuk janë nënshkruar nga palët, janë obligime ligjore për të dyja vendet.

Serbia përmes zyrtarëve të saj disa herë ka thënë se ajo nuk do të zbatojë pjesë të marrëveshjes që kanë të bëjnë me integritetin territorial dhe pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL