Vendosni fjalën kyçe....

Francescco Mandoi – Dëshmitari i dëshpëruar i Rai 3


Bëri bujë dokumentari i RAI 3, ku në epiqendër u theksuan udhëtimet e Olsi Ramës dhe lidhjet e Ëngjëll Agaçit me Artur Shehun.

Por një detaj rezulton se është kaluar si me finte. Detaji quhet Françesko Mandoi.

Mandoi ka qenë drejtues i lartë i Prokurorisë së Leçes dhe më pas i strukturës antimafia në Itali, (kreu i saj).

Mandoi tha se ishte rekrutar si këshilltar nga Rama, por askush nuk ja dëgjoi fjalën nga viti 2013 e më tej. Por ama Mandoi nuk tha se si kishte shkuar deri tek paradhoma e Ramës.

Françesko Mandoi ka patur një kontakt të fortë në Tiranë, mik edhe bashkëpuntor shumë të afërt, mik pune por edhe udhëtimesh edhe aventurash. Ai ka qënë shumë i lidhur me Besnik Imerajn, ish anëtar i Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese. I vetmi gjyqtar i Kushtetueses i dorëhequr dhe jo i shkarkuar dhe që nuk votoi Reformën në Drejtësi, dhe ndryshimet Kushtetuese.

Besnik Imeraj ka një taraf të fortë në Tiranë.

Është profetik mesazhi që ai i dha Ilir Metës President në një darkë pune, duke iu drejtuar:

“Ju mund ta votoni këtë reformë, por do mbetemi pa shokë. “

Në të tillë mendësi ka qenë asokohe dhe Françesko Mandoi. Por ky i fundit nuk kishte hallin e shokëve, por e kishte hallin disi më intelektual.

Françesko Mandoi bashkë me Fatmir Xhafën (Ministër i Drejtësisë) në vitin 2004 sollën ligjin antimafia në Tiranë. Ky ligj nuk u përshtat por u kopjua ‘mot a mot’ dhe për këtë ligj punuan vetëm përkthyesit dhe jo juristët. Ndonëse konteksti italian ndryshonte katërcipërisht me kontekstin shqiptar sa i takon malavitës së asaj kohe, kjo i dha italianëve takat të pakufijshëm që arrinte deri në kryerjen e hetimeve operative brenda territorit të Shqipërisë.

Praktikisht Mandoi, Xhafa, Imeraj, kishin akses në kupolën hetimore kundër krimit të organizuar dhe një fushëveprimi të çmuar për të ndikuar se kush do mbetej në lojë dhe kush do rrasej në burg.

Asokohe hyri në lojë gradualisht edhe avokati Ëngjëll Agaçi me zyrë në Itali, ku jurisprudencën e kishte zanat të dytë pasi kishte marrë diplomën në Insitutin Bujqësor të Kamzës.

Agaçi ishte një lojtar i çmuar i lojës juridike penale që po luhej midis Italisë dhe Shqipërisë. Ai shfrytëzoi hallkat e lidhjeve dhe njohjeve duke bërë ndere të rëndësishme, duke fituar besimin e drejtuesve të lartë të Partisë Demokratike asokohe në pushtet, por edhe të Edi Ramës asokohe kryetar opozite. Edi Rama e emëroi menjëherë sekretar të Përgjithshëm kur shkoi kryeministër.

Agaçi është mik i ngushtë me Xhovani Lisin, ish shef i Guarda di Financës që u akuzuar për ujdi me tokat e Artur Shehut në bregdet.  

Dukej se linja Mandoi – Imeraj – Xhafa – Agaçi po punonte si makinë qepëse deri kur amerikanët hapën tjetër lojë:

Ky ishte momenti kur Mandoi kuptoi se nuk i duhej as dreqit, Xhafa kuptoi se nga pro – italian duhej të bëhej pro-amerikan, Imeraj kuptoi se ishte momenti të tërhiqej, ndërsa Agaçi kuptoi se ishte momenti të bënte siç i thoshte zoti Edi Rama.

Për sa më sipër, ndryshe nga sa deklaron publikisht Françesko Mandoi se ishte Edi Rama dhe përfaqësuesit e krimit pranë tij ata që e nxorën jashtë loje, janë justifikime banale.

Sepse nuk u nxor Mandoi jashtë loje, por ndryshoi gjithë loja. Mandoi ishte i pafederuar në kampionatin e ri të futbollit amerikan.

Françesko Mandoi nuk është aspak një prokuror i lartë italian që ëndërronte të vendoste drejtësinë nga kjo anë e Otrantos.

Ai është thjesht një arkitekt i dëshpëruar, projektin e të cilit për ligjin antimafia ja hodhën në erë amerikanët. Për pasojë në këtë moshë të pensionit, ai ka plotësisht të drejtë të ndihet i hidhëruar sepse ëndërroi një pension me pushtet, por mesa duket përfundoi dëshmitar te RAI 3. / Hashtag. al