Pa nisur ende nga zbatimi, ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, i cili taton profesionet e lira, ankimohet për herë të tretë në Gjykatën Kushtetuese.
Pas ankimit në Gjykatën Kushtetuese, nga deputetja Jorida Tabaku dhe ankimit të dytë që u depozitua në Gjykatën Kushtetuese nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA), me pjesëmarrjen masive të avokatëve, juristëve dhe shumë profesionistë të lirë të fushave të ndryshme, më 19 prill u dërgua një tjetër padi për shfuqizimin e ligjit.
Edhe në padinë e tretë me objekt “Pezullim pjesor i ligjit nr.29/ 2023 dhe shfuqizimin e disa neneve të tij dhe akteve nënligjore”, pretendimet e profesionistëve të lirë për shkeljen e kushtetutshmërisë mbështeten te diskriminimi i shtresës së mesme dhe paligjshmëria e zbatimit të ligjit.
Organizimi për përgatitjen masive të padisë së profesionistëve të ndryshëm erdhi pas dërgimit të njoftim vlerësimeve për secilin biznes nga administrata tatimore për parapagimet e 9 kësteve të tatimit.
Sipas përllogaritjeve të tatimeve, bizneset duhet të parapaguajnë nga 600 deri në 1,000 euro në muaj tatim për vitin 2024, mbështetur te të ardhurat dhe shpenzimet e deklaruara për 2023.
Kontabilistët dhe juristët vlerësuan që jo vetëm përmbajtja juridike e vlerësimeve është e gabuar, por edhe llogaritja për këstet e parapagimit të tatimit.
Nga IKM dhe IEKA, ankimimi u depozitua në Gjykatën Kushtetuese më 20 mars 2024.
Përfaqësues të këtyre institucioneve pohuan më herët për “Monitor” se pretendimet në lidhje me shkeljet kushtetuese janë:
1.Cenimi i parimit të barazisë para ligjit;
2.Shkelja e së drejtës themelore të lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe të profesionit;
3.Cenimi i parimit të shtetit të së drejtës dhe sigurisë juridike;
4.Cenimi i parimit të rezervës ligjore në fushën tatimore dhe hierarkisë së normave.
Ligji i ri parashikon zbatim në dy periudha. Pas zbritjes së shpenzimeve, fitimet e të vetëpunësuarve, personave fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira, nga 1 janari 2024 taksohen me normat 15% dhe 23%. Ndërsa bizneset e tjera të vogla do të vijojnë të kenë tatim zero deri më 31 dhjetor 2029.
Për shkak të trajtimit të pabarabartë tatimor që u bëhet kategorive të bizneseve kërkohet shfuqizimi i nenit 69 që përcakton përjashtimin e bizneseve të tjera nga taksimi dhe të listës së shërbimeve të profesioneve të lira që u përfshinë në taksimin e ri.
“Shfuqizimi i pjesshëm i neni 3, paragrafi 5; nenit 12,paragrafi 1, germa “ç”; dhe nenit 69, paragrafi 1, germa “dh”, të ligjit nr. 29/2023 datë 30.03.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat ” i ndryshuar.
Shfuqizimi i nenit 4, paragrafi 1 “lista e shërbimeve objekt tatimi nga 1 Janari 2024” dhe i tabelës Analitike nr. 2, nënndarja 69, i VKM nr. 753 datë 20.12.2023 si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë për pjesën që u referohet profesioneve të Kontabilistit të Miratuar dhe Audituesve Ligjorë”, citohet në kërkesën e depozituar në Kushtetuese.
Ligji për tatimin mbi të ardhurat u miratua në muajin mars 2023 nga Parlamenti. Në muajin dhjetor u botua në Fletoren Zyrtare vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave, me listën për shërbimet e profesioneve të lira që do të përfshihen në taksimin e ri, duke përfshirë 26 lloje aktivitetesh, duke nisur nga shërbimi IT, i kontabilitetit, avokatët, arsimtarët, mjekët, pasuritë e paluajtshme, agjencitë e lajmeve, agjencitë e punësimit, të sportit operatorët turistikë etj.
Në total, sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në regjimin e ri tatimor do të përfshihen deri në 29 mijë biznese të profesioneve të lira.
MFE llogarit se deri në 90% e totalit të bizneseve (të ndarë sipas 3 kategorive, si: vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtarë) përfshihen në fashën e ardhurave vjetore deri në 14 milionë lekë në vit që do të tatohen me normë 15%./D.Azo
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor