Është një moment historik, presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara përballet me akuza penale në sallën e gjyqit. Megjithatë, vetëm një numër i vogël vëzhguesish mund ta shohin apo dëgjojnë seancën gjyqësore.
Pjesa më e madhe e amerikanëve po informohet nga burime dytësore lidhur me çështjen e ngritur ndaj zotit Trump nën akuzat se ka paguar para në këmbim të heshtjes së një aktoreje të filmave pornografikë.
Duke filluar me procedurat paraprake javën e kaluar dhe përzgjedhjen e jurisë, gazetarët i përcollën publikut ato që u thanë në sallën e gjyqit.
Shteti i Nju Jorkut ka ligjet më të rrepta kur flitet për mbulimin mediatik të një procesi në gjykatë.
Disa ditë më parë vdiq sportisti i njohur O.J. Simpson, emri i të cilit u bë i njohur në të gjithë Amerikën pas akuzave se kishte vrarë ish bashkëshorten dhe të dashurin e saj, pasi gjyqi ndaj tij u transmetua drejtpërdrejt nga salla e gjyqit në Kaliforni rreth tre dekada më parë. Një tregues i qartë se Nju Jorku ka mbetur shumë prapa me kohën.
PSE NJU JORKU NUK I LEJON TRANSMETIMET NGA GJYQI?
Rregullat që kufizojnë mbulimin mediatik në sallat e gjyqit datojnë gati një shekull më parë. Ato u vendosen pas gjykimit në vitin 1935 të një personi që akuzohej për rrëmbimin dhe vrasjen e djalit të vogël të pilotit ushtarak amerikan Charles Lindbergh. Spektakli i bliceve të aparateve fotografike të asaj kohe dhe fotografëve i alarmuan avokatët dhe prokurorët, sipas një raporti të vitit 2022 nga Fondi për Gjykata Moderne me seli në Nju Jork.
Rregullat për të respektuar etikën u përhapën në nivel kombëtar, të përmirësuara për t’u përshtatur me epokën e televizionit, pasi avokatët mbrojtës shprehën shqetësimin se mbulimi me video do të dëmtonte çështjet e tyre, thuhet në raport.
Megjithatë shtimi i interesit për mbulimin mediatik të gjykimeve bëri që ligjet të zbeheshin ngadalë dhe me kujdes. Kamerat filluan të lejoheshin nëpër gjykata në të gjithë vendin, shpesh sipas vendimit të gjykatësit të çështjes.
Nju Jorku i lejoi kamerat në gjykatë në baza eksperimentale, mes viteve 1987 dhe 1997, por kjo dritare u mbyll. Lobimi për avokatët mbrojtës vazhdon të ketë ndikim të fortë në Nju Jork, kryesisht tek legjislatura shtetërore, thotë Victor Kovner, ish avokat për korporatat në qytetin e Nju Jorkut i cili mbështet praninë e kamerave në sallat e gjyqit.
Nju Jorku dhe Luiziana janë të vetmet shtete që ndalojnë plotësisht mbulimin me video të çështjeve në sallat e gjyqit, thotë Fondi për Gjykatat Moderne.
“Ne jemi kryeqyteti mediatik i botës, mendojmë ne, dhe është i papranueshëm fakti që nuk lejohen kamerat në një nga tre degët e qeverisjes”, thotë Senatori i shtetit të Nju Jorkut Brad Hoylman-Sigal, i cili ka sponsorizuar një projektligj në përpjekje për ta ndryshuar atë.
“Është një nga çështjet më të rëndësishme të epokës tonë moderne”, thotë senatori. “Mendoj se publiku ka të drejtë të shohë atë që po ndodh në atë sallë gjyqi”.
Në fillim të gjyqit, disa gazetarë sugjeruan se në disa raste gjatë procedurave dukej se zotin Trump po e zinte gjumi. Zyrtarë të fushatës së tij e hodhën poshtë njoftimin. Por pa pamjet filmike nga salla e gjyqit, nuk ka asnjë mënyrë për ta ditur të vërtetën për këtë.
FOTO TË ZOTIT TRUMP NGA SALLA E GJYQIT
Gjykatësi i çështjes, Juan M. Merchan, lejoi një pjesë të vogël fotoreporterësh që të fotografonin zotin Trump përpara fillimit të procedurave të ditës. Me fillimin e çështjes, të vetmet pamje nga salla e gjyqit janë ato të dala nga dora e karikaturistit, një formë komunikimi që po zhduket.
Faktikisht ka disa pamje filmike të gjyqit që shfaqen në ekranet e një dhome pranë sallës kryesore. Të hënën kjo dhomë ishte e tejmbushur me gazetarë, punonjës të gjykatës dhe individë nga publiku. Mes tyre ishte edhe Ron Sinibaldi, ish llogaritar nga qyteti Long Island, i cili hyri në radhë për të siguruar një vend në orët e vona të një nate më parë.
“Kam lexuar biografitë e presidentëve”, thotë zoti Sinibaldi. “Unë shkoj në bibliotekat presidenciale dhe jam këtu për historinë”.
SI MUND TË SHMANGEN KUFIZIMET PËR INDIVIDËT E PËRFSHIRË?
Në një korridor jashtë sallës së gjyqit, janë vendosur një numër i kufizuar kamerash dhe një grup i vogël gazetarësh për të regjistruar komentet e të përfshirëve në gjyq që duan të flasin për publikun. Zoti Trump ka bërë disa herë komente përpara këtyre kamerave.
Në mungesë të transmetimit të drejtpërdrejtë, dhe në varësi të daljeve të ish presidentit përpara këtyre kamerave, dhe sigurisht nëse organet mediatike i transmetojnë ato drejtpërdrejt, i regjistrojnë apo nuk i shfaqin fare, kjo do të luaj një rol të madh në mënyrën se si rasti perceptohet nga publiku.
Kanali televiziv MSNBC i transmetoi drejtpërdrejt komentet e zotit Trump disa ditë më parë. Gazetari i rrjetit televiziv CNN, Phil Mattingly, tha se ekipi i mbrojtjes së zotit Trump, “po përpiqet të përcaktojë vijën e të menduarit pavarësisht rezultatit përfundimtar”.
MBULIMI I PROCESIT GJYQËSOR NGA MEDIA
Mbulimi i rastit ka paraqitur vështirësi për median. Rrjeti televiziv CNN vendosi në rrugë pranë gjykatës një ekip me kamera dhe gazetarë, duke filmuar në disa raste një makinë me flamuj në mbështetje të zotit Trump që i binte borisë dhe gjëmonte muzikë nga altoparlantët. Në disa raste ishte e vështirë të dëgjoheshin raportimet e gazetarëve.
Analistët dhe ekspertët, shumë prej tyre me përvojë në zgjedhjen e jurisë, ofruan mendime nga studiot ose kamerat e vëna në rrugë. Analisti i kanalit televiziv, Jonathan Turley, tha se “shumica e qyteteve, të paktën ato jashtë Nju Jorkut”, do ta shohin rastin si shfrytëzim të drejtësisë për të goditur kundërshtarët politikë.
A DO TË TRANSMETOHEN NË TELEVIZION ÇËSHTJET E TJERA NDAJ ZOTIT TRUMP?
Shteti i Xhorxhias, ku zoti Trump përballet me akuza për ndërhyrje në zgjedhje, u jep gjykatësve të drejtën për vendosur nëse do t’i lejojnë kamerat televizive në sallën e gjyqit. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Qarkut Fulton, Scott McAfee, ka dhënë pëlqimin për transmetimin e drejtpërdrejt të seancave. Këtu u përfshi edhe çështja ndaj Prokurores së Qarkut Fulton, Fani Willis, nëse ajo do të përjashtohej nga çështja e ngritur kundër zotit Trump.
Gjykatat federale nuk lejojnë kamera në çështjet penale. Zoti Trump po përballet me raste të veçanta federale për ndërhyrje në zgjedhje dhe keqpërdorim të dokumenteve të klasifikuara, megjithëse nuk është e qartë se kur ose nëse do të zhvillohen gjyqet, shkruan VOA.