Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohen se morrën ryshfet dhe lejuan ndërtimin pa leje, shpallet në kërkim kryeinspektori dhe inspektori i IMT-së në Elbasan


Policia ka shpallur në kërkim kryeinspektorin dhe inspektorin e IMT-së në Elbasan pas vendimit të Gjykatës së Elbasanit e cila i ka caktuar masën arrest me burg për dy zyrtarët e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit.

Ata dyshohen se në prill të këtij viti nuk kanë ushtruar detyrat për një objekt pa leje në Elbasan duke marrë ryshfet.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan shpallën në kërkim shtetasit A. M., 38 vjeç, me detyrë kryeinspektor në IMT Elbasan dhe B. Q., 50 vjeç, inspektor në IMT Elbasan. Për këta dy shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ata dyshohen se në muajin prill 2024, nuk kanë kryer detyrat funksionale për një objekt të ndërtuar pa leje, në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, dhe kanë marrë ryshfet për këtë favorizim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, ndërkohë që vijon puna intensive për kapjen e këtyre 2 shtetasve”-njofton policia.