Shefi i Qarkullimit Rrugor në Lezhë, Ismet Sula, është pezulluar nga detyra me vendim gjykate. Ndërkohë struktura drejtuese e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë është vënë në hetim nga prokuroria.
Vendimi është marrë nga Gjykata e Lezhës me kërkesë të prokurorit Sabri Kastrati, që ka nisur hetimet në lidhje me një aksident të ndodhur pak javë më parë në superstradën Lezhë-Laç, pranë fshatit Gajush, ku sipas burimeve është përfshirë në aksident djali i ish-deputetit Tom Doshi, James Doshi, shkruan Shqiptarja.
Teksa po lëvizte me makinë, ai ka përplasur një automjet ku lëviznin një çift bashkëshortësh. Nga hetimet ka rezultuar se djali i Doshit ka qenë fajtor, por është favorizuar nga policia, e cila nuk ka kryer veprimet konform ligjit, duke e lejuar që të marrë automjetin dhe të largohet.
Në lidhje me këtë çështje organi i akuzës është vënë në lëvizje, duke regjistruar procedim penal për “shpërdorim detyre”.
Krahas shefit të Qarkullimit Rrugor Ismet Sula, i cili u pezullua nga detyra, prokuroria po heton edhe drejtuesit e policisë Lezhë për të parë nga kush është dhënë urdhri për të mos kryer veprimet konform ligjit.