Vendosni fjalën kyçe....

Hulumtimi/ Kina gjen shtegun për blerjen e çipave Nvidia të ndaluara nga SHBA-ja


Inteligjenca artificiale kalon përmes rishitësve, pavarësisht se SHBA-ja zgjeroi një ndalim vitin e kaluar për shitjen e një teknologjie të tillë në Kinë.

Një rishikim i qindra dokumenteve të tenderit nga Reuters tregon se 10 entitete kineze kanë blerë çipa të përparuar Nvidia të prodhuara nga Super Micro Computer, Dell Technologies dhe Gigabyte Technology nga Tajvani.

Në mënyrë të veçantë, serverët përmbanin disa nga çipat më të përparuar të Nvidia-s, sipas tenderëve të paraportuar më parë të periudhës midis 20 nëntorit dhe 28 shkurtit. Ndërsa SHBA-ja ndalon Nvidia dhe partnerët e saj të shesin çipa të përaruar në Kinë, duke përfshirë përmes palëve të treta, shitja dhe blerja e çipave nuk është e paligjshme në Kinë.

11 shitësit e pçipave ishin shitës kinezë pak të njohur. Reuters nuk mund të përcaktojë nëse, në përmbushjen e porosive, ata përdorën stoqe të blera përpara se SHBA-ja të shtrëngonte kufizimet e eksportit të çipave në nëntor.

E kontaktuar nga Reuters, Nvidia tha se tenderët specifikojnë produktet që ishin eksportuar dhe të disponueshme gjerësisht përpara kufizimeve.

“Ato nuk tregojnë se ndonjë nga partnerët tanë ka shkelur rregullat e kontrollit të eksportit dhe janë një pjesë e papërfillshme e produkteve të shitura në mbarë botën,” tha një zëdhënës.

Prodhuesit e serverëve thanë se ata ishin në përputhje me ligjet në fuqi ose se do e hetonin më tej rastin.

Midis blerësve ishin Akademia Kineze e Shkencave, Instituti i Inteligjencës Artificiale Shandong, Administrata e Tërmetit Hubei, Universiteti i Shandong, një firmë investimi teknologjike në pronësi të qeverisë provinciale Heilongjiang, një qendër kërkimore e aviacionit shtetëror dhe një qendër shkencore hapësinore.

Asnjë nga blerësit kinezë dhe shitësit me pakicë nuk iu përgjigj pyetjeve nga Reuters në lidhje me këtë çështje.

Daniel Gerkin, një partner me bazë në Uashington në firmën ligjore ‘Kirkland & Ellis’, tha se çipat Nvidia mund të ishin devijuar në Kinë pa dijeninë e prodhuesit, duke pasur parasysh mungesën e dukshmërisë në zinxhirët e furnizimit në rrjedhën e poshtme.

Nëse prodhuesi do kishte kryer një kujdes të mjaftueshëm të duhur, “me sa duket do ishte sfiduese për qeverinë e SHBA-së që të ndiqte një veprim detyrues”, tha ai.

Departamenti i Tregtisë i SHBA-së i tha Reuters se nuk mund të komentonte mbi ndonjë hetim të mundshëm në vazhdim, por tha se Byroja e Industrisë dhe Sigurisë mbikëqyri devijimet e çipave të kufizuar, kreu kontrolle dhe shqyrtoi shkeljet e mundshme.

Zyrtarët do hetojnë pretendimet e besueshme për shkelje, duke përfshirë përdorimin e kompanive guaskë, tha një zëdhënës.

Nvidia tha se sistemet e ndërtuara me njësitë e saj të përpunimit grafik (GPU) – çipa që copëzojnë detyrat e kompjuterit në copa më të vogla dhe i përpunojnë ato së bashku – dhe rishiten nga palë të treta duhet të jenë në përputhje me kufizimet e SHBA-së.

“Nëse përcaktojmë se ndonjë produkt është rishitur më pas në kundërshtim me rregullat e kontrollit të eksportit të SHBA-së, ne do punojmë me klientët tanë për të ndërmarrë veprimet e duhura”, tha zëdhënësi.

Super Micro tha se ishte në përputhje me kërkesat e SHBA-së për shitjen dhe eksportin e sistemeve GPU në rajone dhe palë që kërkojnë licenca.

“Nëse marrim dijeni se një palë e tretë ka eksportuar ose rieksportuar pa licencat e kërkuara, ne e hetojmë çështjen dhe marrim masat e duhura”, thuhet në deklaratë.

Në një letër drejtuar Reuters në emër të Super Micro, firma ligjore amerikane ‘Clare Locke’ tha se klienti i saj “shkon mbi dhe përtej asaj që kërkojnë kufizimet e eksportit të SHBA-së” duke ndërmarrë hapa në mënyrë aktive për të siguruar që klientët e saj të mos shkelin kufijtë.

Në lidhje me tenderat që identifikuan produktet e saj, Super Micro tha se ato përfaqësojnë “serverët e brezit të vjetër ose me qëllime të përgjithshme që nuk janë të aftë për operacionet më të mëdha të Inteligjencës Artificiale që ishin në dispozicion në Kinë përpara rregulloreve të kontrollit të eksportit”. Furnizuesit e shpërblyer “nuk janë klientë të njohur Super Micro”, tha kompania.

Një zëdhënës i Dell tha se kompania “nuk gjeti prova të transportit të produkteve të konfiguruara me çipat e kufizuar që ju listuat tek entitetet që përmendët”, por se do hetojë.

“Shpërndarësve dhe rishitësve tanë u kërkohet të respektojnë të gjitha rregulloret globale të aplikueshme dhe kontrollet e eksportit. Nëse marrim dijeni për një shpërndarës ose rishitës që nuk është në përputhje me këto detyrime, ne marrim veprimet e duhura, duke përfshirë ndërprerjen e marrëdhënies,” tha zëdhënësi. .

Gigabyte tha në një email se ishte në përputhje me ligjet tajvaneze dhe rregulloret ndërkombëtare. Ai nuk iu përgjigj pyetjeve të mëvonshme në lidhje me tenderat që identifikonin produktet e saj si burim të çipave të ndaluar Nvidia. Ministria e Ekonomisë e Tajvanit tha se priste që kompanitë tajvaneze të respektonin kontrollet e eksporteve të SHBA-së.

Transaksionet u zbuluan në dhjetëra tendera, të cilat Reuters i gjeti në bazat e të dhënave publike që mbulojnë vetëm një pjesë të blerjeve nga entitetet shtetërore të Kinës. Por ky vëzhzgimi vogël tregon se Kina ka ende qasje te çipat e përparuar që zyrtarët amerikanë thonë se mund të mbështesin Inteligjencën Artificiale për përdorime ushtarake, siç është modernizimi i forcave të mbrojtjes së Kinës ose për zhvillimin e armëve si raketat hipersonike.

Secila nga blerjet ishte e kufizuar në disa serverë dhe disa dhjetëra çipa të ndaluar. Megjithatë, ato mund të jenë të dobishme për modelet e trajnimit dhe kryerjen e kërkimeve të përparuara, sipas shtatë analistëve dhe drejtuesve të industrisë.

Tenderët – me vlerë midis 71,500 juanë dhe 1,86 milion juanë, ose rreth 10,000 dhe 259,000 dollarë – nuk specifikuan përdorimet e synuara.

Sipas ligjit kinez, agjencitë e prokurimit që përfaqësojnë blerësit shtetëror ose të lidhur me shtetin duhet të kontrollojnë nëse një furnizues mund të përmbushë tenderin përpara se të shpallet fitues dhe të nënshkruhet një kontratë.

Reuters analizoi vetëm tenderët, fituesit e të cilëve ishin shpallur.

Kompanitë dhe njerëzit e akuzuar për shkelje të kontrolleve të eksporteve të SHBA-së mund të përballen me dënime civile ose penale në SHBA, duke përfshirë gjoba prej qindra mijëra dollarësh dhe deri në 20 vjet burg për individët.

Reuters vitin e kaluar raportoi se një tregti nëntokësore e çipave Nvidia ishte shfaqur në Kinë, siç ishte e qartë në tregun e elektronikës Huaqiangbei të Shenzhen në qershor, përpara se SHBA-ja të zgjeronte kufijtë e saj. Në një vizitë tjetër në dhjetor, shitësit që kishin folur me Reuters muaj më parë ishin larguaar dhe shitësit e tjerë thanë se nuk e dinin pse u larguan. Reuters nuk mund të përcaktonte pse shitësit nuk ishin më në treg.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani