Vendosni fjalën kyçe....

Hyn në fuqi zbatimi i ligjit për Amnistinë Penale, 3800 përfitues, 700 lirohen menjëherë, 400 përfitojnë ulje dënimi


Nis sot zbatimi i ligjit për amnistinë penale, pas miratimit në Kuvend me konsensusin e opozitës dhe mazhorancës. Në total nga ky ligj janë 3800 përfitues. Konkretisht, përfitojnë 1100 të dënuar me burgim, nga të cilët 700 do të lirohen menjëherë, ndërsa 400 të tjerë përfitojnë ulje dënimi.

Po ashtu, nga amnistia përfitojnë edhe 2 700 persona në shërbim prove. Nga amnistia do të përfitojnë edhe protestuesit e opozitës, ku pushohen menjëherë 232 çështje. Sipas ligjit të botuar në fletoren zyrtare, nga amnistia do të përfitojnë personat që u ka marrë formë të prerë dënimi deri në datën 31 mars 2024. 

Përmes kësaj amnistie, përfitojnë nga falja totale të dënimit burrat e dënuar me 4 vjet ose më pak vite burg, për dënime të dhëna dhe që kanë marrë formë përfundimtare deri më 31 mars 2023, ndërsa gratë përfituese do jenë ato që kanë deri në 5 vite dënim. Masa e dënimit është rritur pas propozimeve të mëvonshme, pasi varianti fillestar parashikonte falje 3 vite për burrat dhe 4 vite për gratë.  Sipas kritereve të përcaktuara në draft përjashtohen nga vuajtja e dënimit edhe burrat kur në datën e hyrjes në fuqi të amnistisë, u ka mbetur pa kryer deri në 4 vjet burg, ndërsa grave kur u ka mbetur 5 vjet. Përfshirë gjobën apo dënimet alternative.

Përfitues nga amnistia janë gratë mbi moshën 50 vjeç ose mbi këtë moshë, ndërsa për burrat efekti do të jetë kur janë mbi 65 vjeç. Nga amnistia do të përfitojnë edhe të miturit apo ata që kanë qenë 18 vjeç në kohën që kanë kryer veprën penale, ose nën këtë moshë.

LIROHEN (me përjashtim të veprave të ndaluara)

BURRAT ME DËNIM DERI NË 4 VJET (Dënimet të jenë dhënë deri më 31 mars 2024)

BURRA të dënuar ME MBI 4 VJET (që u ka mbetur deri në 4 vjet pa kryer)

GRATË ME DËNIM DERI NË 5 VJET

GRATË ME dënim  MBI 5 VJET (që u ka mbetur pa shlyer deri në 4 vjet)

GRATË që janë 50 ose mbi 50 vjeç kur amnistia hyn në fuqi

BURRAT që janë 60 ose mbi 60 kur amnistia hyn në fuqi

LIROHEN (me përjashtim të veprave të ndaluara) personat që kur kanë bërë veprën penale kanë qenë 18 vjec ose nën mbi 18 vjeç

Kush përjashtohet nga amnistia?

Sigurisht nuk përfitojnë falje të dënimit përqindja më e madhe e veprave penale, që përfshin ato më të rëndat që nisin që nga krime kundër njerëzimit, krime kundër jetës, krime kundër autoritetit të shtetit ku përfshihet edhe korrupsioni, terrorizmi dhe shumë e shumë kategori veprash penale, mbi 240 të tilla. Nuk përfitojnë amnisti, as falje e ulje të dënimit dhe as përjashtim nga ndjekja penale të atyre që i janë shmangur drejtësisë. Personat që i shmangen drejtësisë, ata që janë arratisur, që kanë dijeni për procesin apo masat ndaj tyre apo vendimet e formës së prerë, dhe i shmangen me vullnet të lirë

VEPRAT KRYESORE PËR TË CILAT NUK PËRFITON NGA FALJA E DËNIMIT

  •       Krime kundër njerëzimit, krime kundër jetës, të kryera me dashje,
  •       Vepra penale të kryera me dashje kundër shëndetit,
  •       Krime seksuale,
  •       Vepra penale kundër lirisë së personit,
  •       Kundër moralit dhe dinjitetit,
  •       Kundër fëmijëve, martesës dhe familjes,
  •       Kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, kundër falsifikimit të dokumenteve, që       

Cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve,

  •       Kundër mjedisit,
  •       Kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues,
  •       Krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera,
  •       Vepra me qëllime terroriste, kundër autoritetit të shtetit, kundër drejtësisë, që prekin 

zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale

Ulja e dënimit

Ndërkohë, kategoria tjetër e të gjithë personave të dënuar, të cilët nuk plotësojnë kriteret për t’u përjashtuar nga vuajtja e dënimit, domethënë falja totale e tyre edhe pse plotësojnë kriteret për përfitimin e saj (pra masën e dënimit të dhënë apo të mbetur, apo kriterin moshor për përfitimin e amnistisë) dhe nuk përjashtohen nga vuajtja e dënimit për shkak të kufizimeve të përcaktuara (nenet me krimet përjashtuese) u zbritet dënimi me 2 vite nëse janë gra dhe të mitur, ndërsa 1 vit e gjysmë ulje do aplikohet në këto raste për të dënuarit burra. 

VEPRAT QË NUK PËRFITOJNË ULJE TË DËNIMIT

  •       Vrasja në rrethana të tjera cilësuese
  •       Vrasja e funksionarëve publikë
  •       Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit
  •       Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare
  •       Të dënuarit me burgim të përjetshëm
  •       Të dënuarit nga GJKKO (sipas propozimet të opozitës)

Amnistia nga ndjekja penale

Përmes amnistisë, përjashtohen nga ndjekja penale si dhe pushohen të gjitha çështjet penale në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri më 31 mars 2024 që kanë dënim maksimal deri në 2 vjet, edhe këtu me përjashtime disa nene të rëndësishme.