Vendosni fjalën kyçe....

Lefter Çipa do të kujtohet me një mbrëmje të veçantë muzikore


Aq e fortë është krijimtaria dhe pigmenti i Lefter Çipës, saqë ka plot shqiptarë që këngën “Tundu bejkë e bardhë” e duan shumë, por mendojnë se autor është “Populli”. Në fakt është Lefter Çipa.

Ashtu si kënga e mësipërme, janë me qindra tekstet e shkruajtura nga dora e mjeshtrit Çipa, i cili me të drejtë cilësohet si ‘Princ’ i polifonisë shqiptare.

Për nder të tij, është organizuar një mbrëmje Gala e titulluar “ Këngët e Atdheut tim” nga Trupa e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Orkestra, Grupi Vokal dhe Grupi i Valleve.

Mbrëmja e veçantë pritet të mbahet në 29 Prill, ku do jetë e ftuar ajka artistike e vendit për të nderuar figurën e Lefter Çipës.

Lefter Çipa është konsideruar si burimi ku ushqehen shumica e këngëtarëve dhe kompozitorëve të sotëm modernë shqiptarë dhe ku shumica e këngëtarëve kanë preferuar që në repertorin e tyre të kenë të kryerenditur poezitë dhe lirikat befasuese të tij.

Ndër librat e autorit janë: “Bejkë e bardhë”, “Bilbilat e vendit tim”, “Shqipëri moj ballëhapur”, ” Këngët e Ruzanës”, “Dheun tim përsipër mbaj”, “Për Kosovën prapë do të ngrihem”, “Kënga që tret lotin”, “Këngët e Akroqeranit”, ” Ju dua si mallin e zemrës”, ” Vij nga drita”, ” Këngët e Atdheut tim” (vëllimi i parë), “Endrra nëpër duar”, ” Njerëz me dritë”etj.

Ai është nderuar me çmime dhe dekorata, ndër të cilat me më të lartën “Nderi i Kombit”.

Lefter Çipa u nda nga jeta më 18 shkurt 2021.