Partia Socialiste ka hedhur poshtë akuzat e kryetares së Komisionit Hetimor për Shëndetësinë se po bllokojnë kërkesat për informacion.
Anëtari socialist i komisionit hetimor, Ilir Metaj në një intervistë për Report Tv deklaroi se pretendimi I Albana Vokshit nuk është e vërtetë, pasi PS nuk po bllokon asnjë kërkesë për informacion, por duhet të gjendet konsensusi mes palëve.
“Nuk është asgjë e vërtetë. Si mund të refuzim për kërkesa, kur kom i paraqit në mbledhjen e radhës. Që të kryhet mbledhja e radhës duhet të këtë rend dite dhe të ketë një diskutim mes palëve. Nëse s’ka konsensus të dyja palët vijnë me propozim për rend dite dhe hidhen në votim. S’ka refuzim nga ana jonë”, tha Metaj për Report Tv.
Më tej ai komentoi edhe mënyrën si Vokshi po drejton komisionin duke thënë se po tenton të imponojë te anëtarët opinionin që ka në kokë.
Metaj tha se Vokshi është moderatorë dhe jo imponuese e punimeve të komisionit.
“Nuk është aty si drejtuese për të zaptuar komisionin, apo për të imponuar atë opinion që ka në kokë, çfarë mund të bëjë një kryetare në drejtim të komisionit, kur kanë përcaktuar edhe vendimin, ajo është moderatore, jo imponuese e punimeve të komisionit. Ne nuk refuzojmë asgjë, jemi aty për të ushtruar detyrën tonë dhe do e bëjmë deri në fund.
Është një komision që duhet të funksionojë në bazë të konsensusit në planin e hetimit, sikurse edhe me miratimin e provave që do merren në shqyrtim. Rendin e ditës duhet ta vendosim bashkarish, nëse nuk gjejnë konsensus, rendi i ditës hidhet në votim. Nëse kryetarja nuk i di ose bën sikur s’di, kjo është përgjegjësi e saj. Ne do bëjmë detyrën tonë deri në fund”, shprehet Metaj.