Kryeministri Edi Rama në intervistën e dhënë për “Studio Live” në Report Tv ka argumentuar qëndrimin e PS kundër dërgimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Gjykatë Kushtetuese.
Në gjykimin e saj në themel, Rama tha se Gjykata nuk dha vendim për heqjen e mandatit, duke bërë që vendimi i saj sipas tij të ishte i pazbatueshëm.
“Nuk ka të bëjë votimi në parlament me personin. Ka të bëjë me faktin që siç e na e kanë thënë shumë ekspertë që ai vendim i gjykatës kushtetuese ishte praktikisht i pazbatueshëm sepse gjykata kushtetuese është rojtare e kushtetutës dhe ka të drejtën të ndërhyjë dhe të përcaktojë pozicionin në raport me kushtetutën të çdo nisme të kthyer në ligj që cenon kushtetutën. Por gjykata kushtetuese nuk e ka as detyrë as të drejtë e as mundësi që ti thotë parlamentit sesi duhet të veprojë për një rast apo një tjetër. Nuk ia thotë dot këtë sepse parlamenti është sovran.
Nuk funksionon kështu, është kaq e thjeshtë kaq e qartë, nuk ka asnjë lidhje fare. Gjykata Kushtetuese e kishte aty çështjen, bëri një gjykim në themel të gjerë dhe të gjatë dhe nuk dha vendim për heqjen e mandatit. Nëse do kishte dhënë vendim do ishte e padiskutueshme. E kërkuan dhe nuk e dha. E kishte aty. Gjithë ky konfuzion ishte produkt i konfuzionit mes opozitave që çuan dy kërkesa. Ata janë në luftë kush është i vërteti dhe kush i gënjeshtërti. Ata janë të gjithë bashkë dhe kanë thënë ne jemi të gjithë të vërtetë. Fakti që janë në luftë tregon se janë të gjithë të gënjeshtërt”, tha Rama.