Vendosni fjalën kyçe....

Zbatimi i Amnistisë Penale, Manja: Nuk u lirua asnjë zyrtar i lartë i dënuar nga GJKKO


Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në ditën kur hyri në fuqi ligji për Amnistinë Penale, ishte në burgun e Rrogozhinës, aty ku ishte edhe numri më i madh i të dënuarve që u liruan.

Manja dha një mesazh për të gjithë ata që lanë qelinë, duke u kërkuar që t’i kthehen punës së ndershme dhe të mos e kthejnë më kokën pas. 

Uroj t’i kthehen jetës së përditshme, t’i kthehen punës së ndershme dhe të mos e kthejnë më kokën pas. Kthejuni jetës normale se mbi çdo gjë është familja, por edhe shoqëria jonë, që për këtë gabim që kanë bërë kemi paguar për ta“, tha Manja. 

Manja iu përgjigj edhe njëherë akuzave të Partisë Demokratike, duke thënë se asnjë zyrtar i lartë i dënuar nga GJKKO nuk ka përfituar. 

Asnjë zyrtar i lartë që gjendet duke vuajtur dënimin për shkak se është dënuar nga GJKKO apo se është në proces hetimi apo gjykimi nuk përfiton nga kjo amnisti. Me ulje dënimi janë një numër sa gishtat e një dore, nëpunës të thjeshtë që përfitojnë nga amnistia me ulje dënimi dhe lirohen me ulje dënimi. Nga amnistia zyrtarë të lartë nuk ka“, theksoi Manja. 

Nga amnistia përfituan rreth 780 të dënuar që u ka marrë formë të prerë dënimi deri në datën 31 mars 2024. Përmes kësaj amnistie, përfituan nga falja totale të dënimit burrat e dënuar me 4 vjet ose më pak vite burg, për dënime të dhëna dhe që kanë marrë formë përfundimtare deri më 31 mars 2023, ndërsa gratë përfituese ishin ato që kishin deri në 5 vite dënim. Sipas kritereve të përcaktuara në ligj përjashtohen nga vuajtja e dënimit edhe burrat kur në datën e hyrjes në fuqi të amnistisë, u ka mbetur pa kryer deri në 4 vjet burg, ndërsa grave kur u ka mbetur 5 vjet. Përfshirë gjobën apo dënimet alternative.

Përfitues nga amnistia janë gratë mbi moshën 50 vjeç ose mbi këtë moshë, ndërsa për burrat efekti do të jetë kur janë mbi 65 vjeç. Nga amnistia do të përfitojnë edhe të miturit apo ata që kanë qenë 18 vjeç në kohën që kanë kryer veprën penale, ose nën këtë moshë.