Vendosni fjalën kyçe....

Kërkuan ndryshimin e masës, Apeli i GJKKO-së lë në burg ish-kreun e ARRSH dhe dy bashkëpunëtorët


Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për ish drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqipëtar Evis Berberin dhe dy bashkëpunëtorët e tij Ervis Lami dhe Valter Begaj.

Të tre personat në hetim kishin apeluar vendimin dhe kishin kërkuar zbutjen e masës së sigurisë të dhënë në ngarkim të tyre.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, sot më 25.04.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 16 akti, datë 16.04.2024 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe ankimet e personave nën hetim Evis Berberi, Ervis Lami, Valter Begaj, me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 21, datë 13.03.2024, verifikuar me vendimin nr. 27, datë 16.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 21, datë 13.03.2024 dhe të vendimit nr. 27, datë 16.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”-thuhet në vendim.

Ish-drejtuesi i Autoritetit Rrugor Shqiptar, u arrestua mbrëmjen e 13 marsit 2024 me urdhër të gjykatës si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 259, 287/2 të Kodit Penal.

Berberi dyshohet se fillimisht në cilësinë e ish Drejtorit të Përgjithshëm për Efiçencën e Energjisë, më pas në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëria “N……. Group”,sh.p.k., (që është përfituesi i prokurimeve publike të zhvilluara gjatë kohës kur Berberi. ishte titullar i autoritetit kontraktor), përfitime të parregullta monetare të marra në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet shoqërisë “D……. sh.p.k., të kontrolluar prej tij.