Vendosni fjalën kyçe....

SPAK nuk i pranoi kallëzimin për shpifje të Olsi Ramës, reagon Bardhi: Tani i mbetet të provojë se në Shqipëri nuk ka të paprekshëm


Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me vendimin e Prokurorisë së Posaçme që nuk pranoi kallëzimin për shpifje të Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama ndaj kreut të grupit parlamentar të PD-së.

Bardhi në reagimin e tij thotë se nuk ka ndodhur asnjëherë që të bëjë një denoncim të pabazuar në të dhëna e fakte konkrete apo dokumente zyrtare.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së thotë se tashmë kryeministri Edi Rama ka detyrim të shpejgojë se çfarë e lidh vëllain e tij me krerët e organizatës së trafikut të drogës.

Më tej Bardhi ka një thirrje për prokurorinë ku kërkon hetimin dhe vënien para përgjegjësisë qoftë edhe vëllain e kryeministrit për të provuar që në Shqipëri nuk ka persona të paprekshëm.

Edi Rama nuk mund të fshihet më! Pretendimi i tij se nuk jep shpjegime në Kuvend, sepse kërkuesi i interpelancës është kallëzuar në SPAK, është rrëzuar më 17 Prill.

Nuk ka ndodhur kurrë të kem bërë denoncim të pabazuar në të dhëna konkrete, fakte konkrete apo dokumente zyrtare. Prandaj, pasi u fsheh pas Olsit për 1 muaj, fitojë kohë për të gjetur alibi e gënjeshtra, sot Edi Rama ka detyrimin të shpjegojë çfarë e lidhte Olsi Ramën me kreun e narko-organizatës dhe pse krerët e organizatës, bashkë me vëllain e tij Olsi Ramën përdorin të njëjtin automjet me targa AA 653 DM, në të njëjtën periudhë të planifikimit dhe ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë?

Nuk ka më vend për vonesa, zvarritje apo fshehje për të hetuar rolin e Olsi Ramës në organizatën e trafikut të drogës së Xibrakës. Prandaj ripërsëris kërkesën për heqjen e pezullimit ndaj procedimit penal nr. 335/1-2016. SPAK duhet të na provojë që në Shqipëri nuk ka persona të paprekshëm, që hetohet dhe vihet përpara përgjegjesisë cilido, qoftë ky edhe vëllai i Kryeministrit. Prova janë aty, duhet vetëm të hiqet pluhuri që ka zënë atë dosje të lënë në harresë. Kaq duhet dhe më pas zotimi i Edit të vogël, “ose unë ose ai në burg”, merr përgjigje vetiu!”-shkruan Bardhi.